Analistët politikë e shohin organin e akuzës, si të vetmin institucion që mund të ndërmarrë një hetim të thelluar dhe kushtetues për zgjedhjet e 28 Qershorit. Për Artan Hoxhën Drejtorin e Institutit të Studimeve Bashkëkohore ngritja e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të bërë punën e prokurorisë do të sillte rezultate të padobishme.
Artan Hoxha: “Çështja nuk është hapen apo nuk hapen kutitë. Diskutimi publik i bërë është kanalizuar në drejtimin më të gabuar. Çështja është a është e lejueshme për Kuvendin me një komision të tij hetimor të futet në një terren hetimor që është ekskluziviteti i prokurorisë. Kuvendi e ka të kufizuar rolin e tij hetimor. Është e pakuptimtë që Kuvendi të luajë rolin e prokurorisë apo të gjykatave. Organ më të mirë sesa prokuroria për të bërë një hetim të thelluar dhe profesional të çdo rasti për të cilin ka dyshime të arsyeshme nuk ka.”
Hoxha sjell në vëmendje rastin e komunës së Ruzhdies ku prokuroria ka ndërhyrë për të hetuar mbi parregullsitë e konstatuara në procesin e numërimit.
Artan Hoxha: “Në rastin e Ruzhdies votat e saj u quajtën të pavlefshme nga kolegji zgjedhor dhe tregon që kolegji zgjedhor ka vepruar me dinjitet dhe bazuar mbi ligjin që rrëzon pretendimet se ky kolegj ka thyer ligjin. Prokuroria po vepron dhe po heton në Ruzhdie dhe në çdo rast tjetër që tregon se sistemi funksionon.”
Artan Hoxha komenton dhe nismën e socialistëve për ta hamenduar ligjin ekzistues për komisionet hetimore parlamentare që sipas tij s’është gjë tjetër veçse përsëritje në një format ligjor tashmë por gjithsesi antikushtetues i sloganit të socialistëve ‘Berisha hap kutitë ose largohu’./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka