Për Partinë Demokratike, propozimi i bërë nga Pandeli Majko, për të shkuar në të njëjtën ditë në zgjedhje parlamentare dhe referendum, nëse drafti i Reformës në Drejtësi rrëzohet nga parlamenti, është thjeshtë një shashkë e hedhur me porosi të Kryeministrit Rama, për të minuar më tej procesin.
I këtij mendimi është kreu i Grupit Parlamentar të demokratëve, Edi Paloka, i cili i kujton kundërshtarëve të tij politikë se zgjidhja është paragrafi 88 i Komisionit të Venecias.
Sa për kontrollin e anëtarëve të rinj, që do të zgjidhen nga radhët e Drejtësisë, Paloka thotë se procesi në draftin e maxhorancës është i politizuar. E në këtë kontekst, shprehet ai, edhe opozitës duhet t’i garantohet e drejta e propozimit për dy nga pesë emërimet që do të votohen nga parlamenti.
Sipas Palokës, këtij konsensusi i kanë mëshuar ditët e fundit edhe ndërkombëtarët nga Bashkimi Europian, deri në Washington.
Në lidhje me vijimin e negociatave, Paloka thotë se ato nuk kanë vlerë, përsa kohë maxhoranca, në mënyrë të njëanshme, i shpërndau deputetëve draftin e Reformës në Drejtësi dhe në një kohë kur pritet futja e shqyrtimit të tij në axhendën e punimeve të Kuvendit.
Tv Klan