Prokuroria e Posaçme lëshoi mbi 30 urdhërarreste për personazhe të botës së krimit, ish-zyrtarë të drejtësisë dhe efektivë policie.
Masat e sigurimit të konfirmuara nga Gjykata e Posaçme u kërkuan nga SPAK pas një hetimi të kryer me bazë dëshmitë e dhëna nga bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe të dhënat nga komunikimet në aplikacionin Sky.
Operacioni për vënien në pranga të personave të gjetur të përfshirë në vrasje dhe krime të tjera nisi në orët e para të kësaj të mërkure në Elbasan, Tiranë dhe Durrës.
SPAK nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar, por mësohet se një masë sigurimi “Arrest në shtëpie” është lëshuar edhe për një ish-gjyqtare që ka ushtruar detyrën në qytetin e Elbasanit dhe një zyrtar të paraburgimit të Bradasheshit.
Masa “arrest në burg” është caktuar në mungesë për disa personazhe të botës së krimit, po ashtu nga qyteti i Elbasanit. Nga ana tjetër, në Durrës burime konfirmuan që në pranga është vënë një oficer policie, teksa janë në total 5 masa sigurimi.
SPAK ka zbardhur 6 ngjarje kriminale, vrasje të kryera në kohë të ndryshme dhe që lidhen me perplasjet e grupeve kriminale me bazë qytetin e Elbasanit.
Tv Klan