Kryeministri i vendit, Edi Rama ka mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat së bashku me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Gjatë konferencës, është kërkuar një koment për arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta.

Von der Leyen është shprehur se nuk bën komente për procedime, por vetëm në lidhje me reformat e ndërmarra të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE. Nga ana tjetër, Kryeministri Rama ka thënë se kjo është një çështje që i takon drejtësisë.

Pyetje: 2 ditë më parë është arrestuar ish-Presidenti nëse duhet të keni një koment për arrestimin e ish-Presidentit Meta dhe për debatin që ka ngjallur zbatimi i urdhrit të gjykatës?

Ursula von der Leyen: Unë nuk bëj komente për procedime. Procesi (i integrimit) varet nga meritat e çdo vendi. Në rast se gjërat ecin siç duhet, ne ndoshta do të hapim të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm. Duhet bërë e gjithë puna për t’u bërë shtet anëtar.

Edi Rama: Ju e dini përgjigjen jo vetëm për faktin që unë nuk bëj komente të politikës së brendshme në prani të miqve të huaj. Qëkur ne e kemi nisur reformën në drejtësi, as unë dhe as forca politike që unë udhëheq, nuk bën komente për çështje që i takojnë drejtësisë. Kur përmbyllen, mbase ia vlen të bëhet ndonjë koment, sidomos kur vihet në vend drejtësia për fenomene katastrofike siç është shpifja. Për rastin konkret, është një rast që i takon drejtësisë.


/tvklan.al