Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka i është përgjigjur deklaratës së bërë nga kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme, teska i kërkoi kreut të PD Lulzim Basha, që të bashkëpunonin.
Paloka shprehet se nuk ka kohë për foto por për zgjidhje urgjente, ndërsa shton se “150 milion dollarët e ndarë për oligarkët”, t’i kthehen popullit.
Në një reagim në Facebook, Paloka thotë se politika dhe politikanët duhet të jenë pranë qytetarëve, të cilët janë prekur nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.
“Nuk është koha për foto të përbashkët të politikanëve, por që politika dhe politikanët të jetë pranë qytetarëve! Opozita është në shërbim të qytetarëve dhe pranë tyre. Qeveria ka një detyrim: Të lërë fjalët dhe të kalojë në veprime konkrete. Qytetarët kanë nevojë urgjente për zgjidhje. 150 milion dollarë të ndara këtë vit për 10 oligarkët duhet t’i kalojnë menjëherë nevojës që kanë qytetarët për strehim! Koha nuk pret!”, shkruan Paloka.
Sakaq, Rama më herët komentoi takimet e Lulzim Bashës me qytetarë të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe që nuk janë sistemuar ende, duke nënvizuar se nuk duhen përdorur për politikë.
Kreu i qeverisë i drejtohet kryetarit të Partisë Demokratike me një thirrje, për të bashkëpunuar në këtë situatë të vështirë në të cilën ndodhet vendi. Kryeministri kërkon nga Lulzim Basha që të punojnë së bashku për të ndihmuar banorët që janë goditur nga fatkeqësia e 26 Nëntorit. /tvklan.al