Rasti i vrasjes së 8-vjeçarit Mateo Vasiu në fshatin Grecalli të Fierit më 16 Nëntor ka tronditur tërë opinionin publik. Fqinji i tij, Klodian Çalamani, 38-vjeç, e rrëmbeu dhe më pas i mori jetën fëmijës.
Çalamani ishte një person që kishte shfaqur probleme të ndryshme edhe më parë. Në studion e emisionit “Opinion”, psikologia klinike, Oriola Pampuri tha se përdorimi i kanabisit dhe alkoolit, çka dyshohet se i konsumonte Çalamani, janë nxitës të dhunës.
Psikologia tha se shikon një devijancë në sjelljen e tij dhe shkak për këtë mund të jetë e kaluara e 38-vjeçarit. Për shkak të kësaj gjëje ai sillej dhunshëm me dy kategori, fëmijët dhe të moshuarit.
Por sipas Pampurit, Çalamani, edhe nëse do të ishte dënuar më gjatë nga rasti i vitit 2006 ku dhunoi një adoleshente, përsëri do të lirohej dhe do të kryente krim. Kjo sepse sipas saj nuk kanë funksionuar institucionet që duhet të merren me rehabilitimin e tij.
“Unë shikoj një devijancë në sjellje dhe si faktorë mund të jenë edhe problemet e shëndetit mendor të nxitura nga përdorimi i narkotikëve dhe alkoolit, por dua të citoj diçka tjetër. Ne sot duhet të kishim një analizë, një raport psikologjik që duhej bërë gjatë dënimit në burg. Është folur sot gjatë, edhe nëse do të ishte dënuar 7 vjet, 8 vjet, 10 vjet, prapë do të dilte, ai do ta përsëriste. Pse? Sepse nuk ka funksionuar institucioni brenda”, tha Pampuri.
Më tej psikologia shtoi se “nuk dua ta justifikoj, një rasti i tillë nuk e përjashtoj që të ketë një problem të shëndetit mendor, i nxitur nga përdorimi i narkotikëve dhe i alkoolit”./tvklan.al