“Reduktim të borxheve dhe falje për vendet e varfra”
Për të parën herë në historinë e Krishtërimit, një Pashkë zhvillohet pa besimtarë nëpër katedrale për shkak të koronavirusit që kërcënon njerëzimin. Meshën e mesditës së të dielës së Pashkës, Papa Françesku e zhvilloi në bazilikën e bosh të Shën Pjetrit, ku të pranishëm veç tij ishin edhe klerikët që kryen shërbesën e tradicionale.
Krahas lutjeve për shumë zona të globit që vuajnë, Ati i Shenjtë lëshoi një thirrje të veçantë solidariteti për Europën.
“Pas Luftës së dytë botërore, ky kontinent i dashur ka mundur të ringrihet falë shpirtit të solidaritetit që e ka ndihmuar të lerë pas të shkuarën. Sot, Bashkimi Europian ka përpara një sfidë epokale prej të cilës varet jo vetëm e ardhmja e tij por e gjithë botës. Mos e humbisni këtë mundësi për të dhënë një tjetër provë solidariteti, duke përdorur po ashtu zgjidhje inovative”.
Kreu i Kishës Katolike Botërore u kërkoi po ashtu ekonomive të mëdha, të zbusin sanksionet për t’u dhënë mundësi vendeve të goditura, të ndihmojnë qytetarët e tyre në këtë situatë. Po ashtu kërkoi reduktimin e borxheve, në mos faljen e tyre për vendet e varfra në këtë moment nevoje të madhe.
Në meshën e mesnatës, Ati i Shenjtë i bëri po ashtu thirrje njerëzimit të mos i dorëzohet frikës në mes të pandemisë së koronavirusit, por të bëhet përcjellës i mesazhit të jetës në këtë kohë vdekjesh.
Tv Klan