Pas një optimizmi të kujdesshëm që mbizotëroi të premten, përfshirë edhe konferencën për shtyp të mjekëve që e trajtonin në spitalin Gemelli, Papa Françesku kaloi një nga ditët më delikate këtë të shtunë.
Në një përditësim të situatës, Vatikani tha se Ati i Shenjte pësoi një krizë në frymëmarrje dhe se kishte nevojë për transfuzion gjaku pasi analizat mjekësore zbuluan mungesë trombocitesh, e cila shoqërohet me anemi.
“Gjendja e Atit të Shenjtë vazhdon të jetë kritike, ndaj, siç u shpjegua Papa nuk është jashtë rrezikut”, nis buletini mjekësor i lëshuar nga Zyra e Shtypit e Vatikanit.
Për momentin prognoza është e rezervuar. Mjekët thonë se ai pritet të qëndrojë në spitalin Gemelli të Romës për të paktën edhe një javë tjetër.
88-vjeçari i zgjedhur si Papë në vitin 2013 po trajtohet për pneumoni të dyfishtë dhe bronkit kronik që nga 14 Shkurti. Ati i Shenjtë ka vuajtur nga gripi dhe probleme të tjera shëndetësore disa herë gjatë dy viteve të fundit.
Tv Klan