Arritja e paqes në Ukrainë mund të dojë disa muaj, pasi Donald Trump të marrë zyrtarisht mandatin e dytë si president i Shteteve të Bashkuara. Këtë e thonë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, këshilltarët e presidentit të zgjedhur sipas të cilëve në opinionin publik është krijuar një përshtypje e gabuar se kriza e Ukrainës do të zgjidhet menjëherë sapo Trump të marrë presidencën. Sipas tyre, për momentin asgjë nuk është e qartë se çfarë do të propozojë administrata e re në Uashington për të nxitur rusët të ndalin luftën dhe ukrainasit të ulin armët e mbrojtjes.
“Reuters” shkruan se ndonëse Vladimir Putin është gati për t’u takuar menjëherë me Donald Trump, ambasadori rus në OKB, Vasili Nebenzja i ka konsideruar si “pa interes“ idetë që kanë dalë deri më tani nga stafi i presidentit të zgjedhur amerikan.
Megjithatë, pikat ku duket se deri më tani njerëzit e Trump dhe Putin bien dakord janë kërkesa që Ukraina të mos anëtarësohet shpejt në NATO dhe për paqen të merren parasysh edhe pushtimet ruse të deritanishme, propozime që deri më sot nuk i kanë pëlqyer Kievit.
Tv Klan