Frika nga sulmet terroriste gjatë festës së pashkëve ka vënë në lëvizje autoritetet europiane. Policia italiane parandaloi një akt terrorist, duke vënë në pranga 5 anëtarë të celules terroriste të Shtetit Islamik, ku bënte pjesë edhe Anis Amri autori vrarë i masakrës së dhjetorit 2016 në Berlin.
Të akuzuarit janë 4 shtetas tunizianë të hyrë në Itali me valën e refugajtëve të viteve të fundit dhe 1 palestinez 38-vjeçar, aktualisht në burg i akuzuar për shpërndarje droge. Policia italiane njoftoi se të arrestuarit ishin në prag të kryerjes së një sulmi terrorist. Ata u ndaluan gjatë një operacioni në Romë, Napoli e Kazerta, pas një hetimi të nisur nga autoritetet italiane nga disa përgjime telefonike e ambientale. Njëri nga terroristët tunizianë shprehej në përgjime se “jo besimtarëve u duhej prerë fyti e gjenitalet”.
Edhe në Francë u shmang një sulm terrorist. Policia franceze arrestoi një person, i cili tentoi të godasë dy ushtarë që stërviteshin pranë një baze në Grenoble. Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi një terrorist vrau 5 persona në qytetin jugor të Trebës.
Rrezik për sulme terroriste edhe në Kosovë, ku ambasada amerikane u ka bërë thirrje shtetasve nga ky vend të bëjnë kujdes gjatë ditëve të pashkëve.
Tv Klan