Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar flamurin ekipit olimpik të Kosovës, para pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike Paris 2024, të cilat prej 26 korrik deri më 11 gusht 2024 mbahen në Paris të Francës.
Në ceremoninë e organizuar , krahas drejtuesve të KOK-ut me në krye presidentin Ismet Krasniqi morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ministri Hajrullah Çeku, ambasadorë të shteteve të huaja në Kosovë, drejtues federatash, trajnerë, sportistë.
Krahas presidentit Ismet Krasniqi, me fjalime të pranishmëve iu drejtuan edhe presidentja Osmani, kryeministri Kurti, ambasadori francez, Olivier Guerot.
Në emër të ekipit, kampionia olimpike Nora Gjakova pranoi flamurin nga Presidentja. Nora Gjakova shprehu kënaqësinë e të qenit edhe bartëse e flamuri në ceremoninë hapëse të LO Paris 2024.
Para dorëzimit të flamurit, një fjalim e mbajti kampionia e parë olimpike nga Kosova, xhudoka Majlinda Kelmendi. Majlinda në Paris do të udhëtojë si trajnere, përkatësisht si pjesë e shtabit teknik të trajnerit të xhudos, Driton Kuka.
Në ceremoni të pranishmit patën mundësinë të shohin promon e ekipit olimpik të Kosovës, si dhe një mesazh të ish-xhudistes amerikane, Sayaka Torra.
Marrë nga KOK