Komisioni Evropian “Barroso 2” ka marrë pëlqimin e Parlamentit Evropian, i mbledhur në një seancë plenarë në Strasburg.

Jose Manuel Barroso është president i një ekipi me një komisionar për secilin nga 27 shtete të BE, ku për herë të parë Zv/Presidentja e KE-së është njëkohësisht edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së.

Jose Manuel Barroso:  “Ekipi që keni para jush sot është gati për t’u përballur me sfidat. Ai ka eksperiencë dhe ide te reja. Ai reflekton gamën e qasjeve dhe ndjeshmërive të ndryshme, që e bën Evropën një tokë të mrekullueshme idesh. Është një ekip për të cilin mund të votoni me besim dhe që meriton mbështetjen tuaj”.

Komisioni “Barroso 2” është votuar me 488 vota pro, 137 kundër dhe 72 abstenime. Debati që e ka paraprirë votimin ka qenë i nxehtë, si rrjedhim i profilit të dobët të disa komisionarëve.

Në këto 5 vjet të mandatit të tij Komisioni Evropian do të përballet me sfidat kryesore të krizës ekonomike, politikën energjetike, ngrohjen globale dhe një rol më të rëndësishëm të Evropës në arenën ndërkombëtare.

Pas zv/Presidentes Catherin Ashton, komisionarët më të rëndësishëm për Ballkanin janë Stefan Fule përgjegjës për zgjerimin, Cecilia Malstrom për punët e brendshme dhe Vivian Riding për drejtësinë. Komisionarët konsiderohen që sot në funksionin e portofolave të tyre përkatëse./tvklan.al

Gazetare: Erisa Zykaj