Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kush dëshiron të ndërtojë një kazino, duhet t’i paguajë shtetit 1 miliard lekë. Taksa për licencimin do të shërbejë për 15 vjet dhe më pas ajo duhet rinovuar. Ky ligj u miratua pas disa debatesh në Kuvendin e Shqipërisë. Ligji i vitit 94 për kazinotë, parashikonte vetëm 30 milion lekë të reja, por ky ligj u shfuqizua në vitin 2000.

Gjatë paradites, opozita u shpreh kundër ngritjes së kazinove, duke iu referuar ekonomisë informale dhe krimit të organizuar në vend. Për socialistët ky ligj përkthehej e keqe e domosdoshme dhe qejf që nuk duhej penguar.

Ridvan Bode: “Do të rrisim sensibilitetin e opinionit publik, të brendshëm dhe të huaj, ndaj një fenomeni që jemi ndërkaq të akuzuar dhe ku nuk kemi ende një infrastrukturë ligjore dhe institucionale, të mjaftueshme dhe adekuate për të parandaluar këtë lloj aktiviteti”.

Gramoz Ruçi: “Qejf është kjo botë dhe qejflinjtë nuk gjykohen, nuk paragjykohen, më vjen keq që nuk e ushtrojë dot këtë qejf që keni ju dhe kam shumë qejf që jeni kaq qejflinj dhe qejfi paguhet. Tashti problemi, amendamenti është, këtë qejf do ta taksojmë më shumë apo t’i ulim taksimin? ”

Socialisti Limoz Dizdari mbështeti opozitën, duke u deklaruar kundër miratimit të ligjit për lojërat e fatit dhe kazinotë.

Limoz Dizdari: “Nuk kemi ujë të lahemi, nuk kemi drita të shikojmë njëri-tjetrin, kemi shumë probleme të tjera dhe jemi nën një akuzë të rëndë nga Europa dhe nga institucionet ndërkombëtare për paranë informale. Unë nuk e vë në dyshim se këto kazino të mëdha do të jënë vetëm për lavatriçe të mëdhaja, jo nuk besoj sigurisht, por një mundësi ekziston”.

Amendimi për blerjen e licencës u propozua nga deputeti Gaqo Apostoli dhe u firmos nga 25 deputetë. Ministria e Financave ka reaguar menjëherë pas miratimit të ligjit nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ku e ka konsideruar si të ekzagjeruar dhe pengues për licencimin e këtyre veprimtarive, nivelin prej 1 miliard lekësh të reja të miratuar në parlament./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini