Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Parlamenti nuk miratoi projektligjin për ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë nga sistemi komunist. Pas 4 orë diskutimesh me 52 vota pro dhe 46 kundra, shumica parlamentare vendosi të shtyjë miratimin e projektligjit. Për liderin e opozitës, votimi u bë në kundërshtim të rregullores. Sipas tij, një projektligj kërkon shumicën absolute prej 71 votash.

Sali Berisha: “Vendimi merret me shumicë absolute të votave”.

Makbule Çeço: “Faleminderit zoti Berisha, por nuk është ndryshim në kalendar, është nxjerrje nga seanca”.

Sali Berisha: “Mos bëni gabimin, mos u sillni si bandit në parlament, por zbatoni Kushtetutën. Është kushtetutë e parlamentit dhe u them ju …”

Makbule Çeço: “Zoti Berisha nuk del nga kalendari, shtyhet nga seanca, ky është vendimi”.

Projektligji u shty me argumentimin, se ende nuk është gati fatura financiare nga qeveria dhe pritet konsulenca juridike e Komisionit të Venecias.

Arben Malaj: “Kuadri ligjor për ish-të përndjekurit politik, të cilin ne e kemi gjetur në 97, e kemi zbatuar deri në fund, pra të gjitha detyrimet financiare, për të paguar ish-të përndjekurit politik, sapo ne kemi ardhur në pushtet, janë zbatuar një për një. Momenti është që kërkohet të krijohet një kuadër tjetër ligjor, pra me përgjegjësi dhe mund të ketë komision tjetër parlamentar ta vërtetojë, të gjitha detyrimet janë paguar nga qeveria shqiptare ndërmjet Bankës së Kursimeve, për të gjitha detyrimet që lindnin nga kuadri, që ju kishit hartuar përpara se ne të vinim në pushtet. Deri diku në parim është rënë dakord, por kalohet në ekstremitete, qoftë për ata që duhet ta përfitojnë si grup social, sa duhet të jenë dhe kush do të jenë, qoftë për ata të cilëve u kalon kjo e drejtë brez pas brezi, apo dhe për shifrën konkrete dhe kjo nuk mund të kalohet si një patate e nxehtë, se kush nga forcat politike në parlament ja lë njëra-tjetrës”.

Nisur nga situata e tensionuar jashtë sallës së Kuvendit, nënkryetarja demokrate e parlamentit Topalli, kërkoi që Ministri i Rendit Igli Toska të raportonte në Kuvend.

Jozefina Topalli: “Jo vetëm që është rrethuar parlamenti me tela me gjemba, jo vetëm që janë rrahur dhe sakatuar nga policia, ato që janë atje, përjashta, por në të njëjtën kohë janë marrë me makina dhe janë rrasur në polici, në komisariate. Gjatë këtyre 13 viteve cili projektligj, cila iniciativë ligjore është mbajtur dy vjet në këtë sallë parlamentare”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj