Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Parlamenti zgjodhi anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, me votim të fshehtë. Ardian Fullani, Ksenofon Krisafi dhe Tefta Çuçi janë kandidaturat e propozuara nga qeveria. Fatos Ibrahimi, Andis Harasani, të propozuara nga PS, ndërsa Elisabeta Gjoni dhe Albert Gajo nga PD. Nga këta emra nuk u përfshi Albert Gajo, pasi nuk mori votat e mjaftueshme.

Përpara votimit, opozita shfaqi rezerva për kandidaturën e Ksenofon Krisafit, pasi siç u shpreh Ridvan Bode nuk plotëson kriteret për të qenë anëtarë në Këshillin  Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Ridvan Bode: “Në një kandidaturë nuk është respektuar kriteri i ligjit i cili thotë, se kandidaturat duhet të kenë eksperiencë në fushën financiare dhe bankare. Kemi një emër këtu, i cili nuk ka të bëjë fare, zoti Krisafi, që propozohet. Në një eksperiencë në këtë sektorë që është kusht, kriter i propozimit të ligjit.”

Kjo u kundërshtua nga zv/kryeministri Namik Dokle.

Namik Dokle: “Unë e falenderojë zotin Bode, që respekton pikën a, dhe tërheqë vëmendje për pikën b. Atëherë unë po shkoja tek pika d, se janë disa pika, e cila thotë, përvojë pune mbi 5 vjet në administratën publike, pra për njërin merret përvoja në fushën financiare, për tjetrin përvoja në administratën publike, e kshu me radhë, pra nuk është e thënë që të jetë strikt në këtë ose në atë drejtim.”

Kandidaturat e përzgjedhura nga mazhoranca socialiste nuk ishin alternative, por plotësonin numrin fiks të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të cilëve u ka mbaruar mandati./tvklan.al