Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Partia Demokratike akuzon kryeministrin Fatos Nano, se po ushtron presion pranë kryetarit të Kuvendit Servet Pëllumbi, për miratim të projektligjit të qeverisë për kthimin dhe kompensimin e pronave. Sipas kryetarit të grupit parlamentar të PD Bamir Topi, në një shkresë që kryeministri i ka dërguar zotit Pëllumbi, i kërkon që të merret parasysh projektligji i qeverisë, duke rënë kështu ndesh me propozimin e paraqitur nga OSBE, për hartimin e një projektligji të përbashkët mes qeverisë dhe opozitës.
Bamir Topi:- “Në rast se ai mendon, që ky është vullneti i qeverisë dhe i mazhorancës, nuk ka nevojë të ushtrojë presion institucional mbi parlamentin, por të mbledh grupin e tij parlamentar dhe të vendosi vullnetin politik, duke pasur dhe shumicën e votave. Ai bie ndesh gjithashtu me vërejtjet e OSBE-së, sepse është pranuar nga të gjitha palët, që OSBE luan rolin e mediatorit, mbi bazën dhe të një ekspertize për të bërë një ligj me bonsens, nga të gjitha partitë parlamentare dhe një projektligj, i cili të bazohet në realitetin objektiv që ekziston në Shqipëri. Nëse PS dhe mazhoranca parlamentare, e ka paravendosur miratimin e ligjit për pronat, le ta miratojnë këtë ligj, por duhet të dinë, që po bien ndesh me fjalët e tyre, me vullnetin e tyre të shprehur në tavolinën e presidentit, me atë çka kanë thënë me përfaqësuesit dhe me ambasadorin e OSBE-së, me atë fjalë që i kanë dhënë opozitës, se janë të gatshëm të bëjnë një ligj integral për pronat dhe me atë fjalë që i ka dhënë gjithë shqiptarëve, që problemi i pronave të realizohet në mënyrë definitive në Shqipëri”./tvklan.al