“SPAK të verifikojë pasurinë e politikanëve dhe familjarëve të tyre”
Për të kufizuar ndikimin e krimit dhe korrupsionit në radhët e politikës, demokratët i janë rikthyer ndryshimeve kushtetuese sikundër tre vite më parë.
Përmes disa amendimeve në ligjin themeltar të shtetit, opozita kërkon që krahas 140 deputetëve, në “Vetting” të kalojnë të gjithë zyrtarët e lartë, përfshi Presidentin, Kryeministrin, ministrat dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
Në skaner të SPAK-ut, demokratët propozojnë që të kalojnë deri bisedat telefonike dhe emailet, pasuria e politikanëve si dhe familjarëve të tyre. E sa për ata që janë të dënuar me burgim, apo nuk justifikojnë pasurinë, përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur.
“Përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.
Pjesë e paketës së ndryshimeve kushtetuese është edhe ndryshimi i hartës territoriale, ku opozita kërkon rikthimin tek koncepti i komunave dhe bashkive, si njësi bazë e qeverisjes vendore.
“Njësitë e qeverisjes vendore janë komunat, bashkitë dhe qarqet. Njësi të tjera të qeverisjes vendore rregullohen me ligj. Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore. Komunat përfshijnë vetëm territore rurale, ndërsa bashkitë përfshijnë kryesisht territore urbane dhe vetëm pjesërisht territore rurale”.
Kthimi tek koalicionet parazgjedhore është një tjetër propozim kushtetues i sjell nga demokratët.
“Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit”.
Përmes paketës së ndryshimeve kushtetuese, demokratët sikundër paralajmëroi nga mbledhja e grupit edhe Lulzim Basha, kërkojnë që të zhbëjnë edhe ndryshimet kushtetuese të 30 Korrikut.
Tv Klan