Lajme Arkiva 2003

Sheshi “Skënderbej” në qendër të qytetit do të kthehet sërish më 22 Mars në vendin e takimit të Partisë Demokratike me përkrahësit e saj. Forca më e madhe e opozitës ka vendosur që ti rikthehet mitingjeve të paktën për 1 ditë kur të përkujtojë ardhjen në pushtet për herë të parë pas ndryshimeve politike në vend dhe krijimit të parlamentit të parë pluralist.

Të gjitha strukturat e Partisë Demokratike janë vënë në lëvizje për të patur një nga mitingjet më të mëdha të realizuar prej saj gjatë këtyre viteve të fundit. Më shumë se sa një vit simbol 22 Marsi është konceptuar nga drejtuesit e opozitës si dita kur Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të demonstrojnë publikisht përkrahjen e tyre në elektorat si një shenjë force ndaj Partisë Socialiste dhe kryeministrit Fatos Nano.

Zhvillimi i zgjedhjeve të reja do të jetë dhe një nga parullat kryesore të mitingut të 22 Marsit, që pritet të kthehet në një demonstrim të fuqishëm antiqeveritar. Në këtë ditë jo të zakonshme pasi demokratët që nga dhjetori i vitit 2000 kanë hequr dorë nga mitingjet masive, në sheshin “Skënderbej” nuk do të mungoj atmosfera festive për të përkujtuar ngjarjen e tyre të shënuar atë të rrëzimit të diktaturës dhe fitores së forcave demokratike./tvklan.al