Partizani kryeson Superligën shqiptare edhe pas javës së 13-të. Fitorja në derbin e kryeqytetit me Dinamon i dha tre pikët e radhës skuadrës së Veselinovic. Falë golave të Tedi Carës dhe Arinaldo Rrapaj të kuqtë i shkaktuan humbjen e parë Ilir Dajës në stoli e Dinamos, teksa përfituan edhe nga hapi fals i Vllaznisë për të qenë e vetme në vendin e parë.
Me 24 pikë të grumbulluar me 6 fitore e 6 barazime, Partizani ka edhe sulmin e tretë më të mirë të kampionatit, me 18 gola të shënuar. Në 5 sfidat e javës së 13-të u shënuan në total 13 gola, për një mesatare prej 2.6 golash çdo 90 minuta. Fitore në këtë fundjavë regjistroi edhe Tirana.
Emërimi i Gugash Maganit në stol ka sjell frytet e duhura, me bardheblutë që morën fitoren e dytë në këtë sezon. Katër herë shënuan në portën e Bylisit që po përjeton krizë rezultatesh. Plot tre barazime identifike, me shifrat 1-1 u regjistruan në takimet e tjera. Pika e marrë ndaj Vllaznisë e mban Egnatian në vendin e tretë të renditjes me 20 pikë.
Edhe Elbasani po vuan mini-krizën e rezultateve pasi ndaj Laçit zgjati ecurinë e barazimeve, të 5 në 6 ndeshjet e fundit. Gjithsesi kjo e mban skuadrën elbasanase në vendin e 5-të, shumë pranë zonës final-four ku do përcaktohet edhe kampioni i ri i vendit. Formë të ngjashme po përjeton edhe Teuta, pasi nuk ka arritur fitore në 5 ndeshjet e fundit, me 4 barazime e një humbje.
Klan News