Katër javë ka zgjatur pritja e Dinamos për të gjetur fitoren. Nëndetësja blu triumfoi pastër 2-0 ndaj Laçit në javën e 26-të për të koleksionuar 3 pikëshin pas katër barazimeve radhazi.

Heroi për skuadrën e teknikut, Ilir Daja ishte Dejvi Bregu. Sulmuesi shënoi të dy golat e takimit për të ndihmuar ekipin që të marrë fitoren e 11-të në këtë sezon.

Goli spektakolar nga rreth 30 metra zhbllokoi sfidën për t’i dhënë një hov të madh Dinamos përballë kurbinasve. Bardhezinjtë tentuan që të rikthehen në lojë, por tentativat nuk u konkretizuan në gol.

Me avantazhin minimal të Dinamos skuadrat iu drejtuan dhomave të zhveshjeve, ndërsa në të dytën ishte sërish Bregu ai që gjeti rrjetën.

29-vjeçari u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë për të vulosur fitoren dinamovite. Një triumf që e ngjit skuadrën e teknikut Daja në kuotën e 44 pikëve, në pozita të qeta në zonën final-four.

Ndërkaq, për kurbinasit kjo ishte humbja e 10-të sezonale dhe e para pas katër takimesh.

Klan News