Ai mbretëroi në Egjipt, adhurohej si perëndi dhe ishte gjyshi i Tutankhamunit. Tani, shkencëtarët kanë zbuluar fytyrën e Amenhotepit III.

Faraoni është përshkruar nga një arkeolog si “një prej njerëzve më të pasur që ka jetuar ndonjëherë”, i cili drejtoi Egjiptin në një periudhë begatie të paprecedentë dhe kishte pushtet ndërkombëtar.

I konsideruar si një nga faraonët më të mëdhenj me më shumë statuja ekzistente,  por rindërtimi i fytyrës së tij nuk ishte bërë ende. Tani, me të dhënat nga kafka e mumies së tij, një ekip ndërkombëtar ka zbuluar portretin e faraonit për herë të parë në 3400 vite.

“Ai mund të ketë qenë një nga njerëzit më të pasur që kanë jetuar, të paktën në epokën e tij. Është e vështirë të përcaktosh shkakun e vdekjes duke analizuar mbetjet. Kërkimet e zhvilluara në vitet ’70 e përshkruanin Amenhotepin si obez, të shëndoshë dhe një sedentar thuajse tullac që vuante nga problemet  me dhëmbët në vitet e fundit”, thotë arkeologu Michael Habicht.

“Edhe pse ishte një nga mbretërit  më të mëdhenj të Egjiptit, gjatësia e tij ishte rreth 156 cm duke e bërë ndër më shtatshkurtrit që njohim bazuar te mumiet. Trupi i tij i vogël nuk është përdorur te veprat artistike pasi njihet për statujat gjigante”.

Eksperti Cicero Moraes që ‘ringjalli’ fytyrën e faraonit, tha se rindërtimi nisi duke krijuar në mënyrë dixhitale kafkën e tij  përmes të dhënave dhe fotove të mumies.

“Sipas të dhënave historike, Amenhotepi III ishte e fortë e i shëndetshëm prandaj përdorëm të dhëna nga persona me indeks të lartë të masës trupore. Nëse ne s’jemi gabuar, ky është portreti i parë i përafërt i Amenhotepit III”.

Faraoni adhurohej si një hyjni dhe deklaronte se perëndia Amun ishte babai i tij i vërtetë ndërsa emri Amenhotep do të thoshte “Amun është i kënaqur”.

Në letrat diplomatike nga monarkët e tjerë, ata i luteshin që t’u dërgonte pak ar si dhuratë pasi ‘ari në Egjipt’duhet të jetë po aq i pafund sa rëra. Është një ekzagjerim i zakonshëm, por tregon pasurinë e pamatë”, shton Habicht.

“Ka thashetheme se mumia e Amenhotepit III mund të ketë qenë tërësisht e mbuluar me fletë ari kështu që ai duhet të jetë dukur si statuja e një perëndie”.

Arkeologu tha se faraoni ka qenë një lloj Don Zhuani.

“Ishte shumë i interesuar ndaj grave, importonte qindra vajza të huaja haremi dhe i koleksiononte si pulla poste”.

Mendohet se Amenhotepi III ka vdekur në moshën 40-50 vjeçare duke i lënë pasardhësit një mbretëri të pasur e të pushtetshme./tvklan.al