Ajo do të interpretojë në skenë bashkë me aktorin Ndriçim Xhepa dhe ideatorin e veprës Kristian Korveshin
Një natë poetike ishte ajo e cila e rishfaq sërish në skenë aktoren e mirënjohur Luiza Xhuvanin, pas humbjes së bashkëshortit, regjisorit të mirënjohur të kinematografisë shqiptare Gjergj Xhuvanit. Ajo do të interpretojë në skenë bashkë me aktorin Ndriçim Xhepa dhe Kristian Korveshin. Të tre së bashku do të sjellin magjinë e poezive të Rumit, poetit persian i cili ka shkruar disa nga fjalët më të bukura e më të thella që janë shkruar ndonjëherë.
Është një ngjarje e veçantë, pasi është thuajse e rrallë që të shohësh e të bësh bashkë në skenë Luiza Xhuvanin dhe Ndriçim Xhepën për shkak të vlerës së tyre të madhe, karrierës së pasur dhe impaktit që kanë në publik. Duket se ideatori dhe aktori Kristian Koroveshi, ja ka dalë mbanë duke realizuar këtë mbrëmje poetike. Për të folur për natën poetike “Mbrëmë i përshpërita një ylli”, premiera e së cilës do të jetë më 7 Nëntor në sallën e Kishës Ortodokse në Tiranë, ka qenë i ftuar në programin “Rudina” në TV Klan, Kristian Koroveshi.
“Mbrëmë i pëshpërita një ylli” është një vepër artistike, pesë vepra poetike të Mevlana Rumit të përpunuara për t’u kthyer në një vepër të vetme me një strukturë të një poeme të gjatë. Një vepër e jashtëzakonshme e letërsisë perse, që bart mesazhe dhe ide, mbi të cilat njeriu ndërton qenien dhe ekzigjencën e vetë. Në hollin e sallës do të ekspozohen rreth 30 piktura, punime të poetit gjenial pers të shekullit XII, Mevlana Rumi.
Kristian Koroveshi: Kur ia kam dalë nuk e kam menduar vështirësinë sepse kam shijuar gëzimin e të qenurit të atyre të dy bashkë. Por, sigurisht nuk ka qenë e thjeshtë sepse vështirësia ka filuar që në gjetjen e veprës. Ai është një kolazh poetik i pesë vëllimeve poetike dhe jam përshtatur dhe jam munduar që të nxjerr një lloj vepre poetike që t’iu shkoj për shtat këtyre të dyve.
Rudina Magjistari: Luiza Xhuvani është në një moment shumë të vështirë të jetës së saj duke pasur parasysh dhe ndarjen nga jeta të regjizorit të madh, Gjergj Xhuvani. Nga ana tjetër, fuqia që ajo gjen për t’iu rikthyer punës dhe profesionit, një prej dashurive të saj apo jo?
Kristian Koroveshi: Luiza është shembulli më i madh i profesionalizmit sepse lë pas gjithçka dhe tregon veten e vet dhe jetën e saj profesionale dhe njerëzore, emocionale. Lajmi më ka habitur dhe mua vetë dhe artistët vetë sepse thonë edhe në një shfaqje teatri ku kemi luajtur në produksione të mëdha teatrore, nuk ka qenë ky lloj interesimi. Unë besoj se është edhe fakti i të bërit bashkë të të dyve.
Aktori Kristian Koroveshi, me rreth 12 role në teatër si dhe fitues i çmimit “Aktori i ri më i mirë 2018” në festivalin mbarëkombëtar të teatrit. Kristian Koroveshi prej 2 vitesh ka mbaruar studimet në Universitetin e Arteve për aktrim dhe prej 3 vitesh punon në Teatrin Kombëtar Eksperimental. Roli i tij që e ka bërë atë të njohur është ai në shfaqjen “Medea”.
Përveç roleve në teatër, Kristian Koroveshi është vetë i angazhuar duke sjellë në rolin e producentit dhe aktorit, një formë të teatrit të poemës dramatike dhe netëve poetike në vende të ndryshme të trashëgimisë kulturore dhe jo vetëm. Në këto netë, ai gjithmonë shoqërohet me interpretimin e emrave të mëdhenj si: Roza Anagnosti, Ndriçim Xhepa, Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku, Timo Flloko./tvklan.al