Pa asnjë mandat për Kuvendin e ri Paskal Milo kryetari i PDS e shesh situatën rrjedhojë të filozofisë që ndoqi lidershipi i partisë Socialiste. Në vija të trasha përqendrim i pushtetit tek forca më e madhe që drejtoi koalicionin si dhe shkatërrim i partive të vogla. Milo thotë se kjo filozofi prodhoi humbjen e së majtës.

Paskal Milo: “Autorët kryesor të disfatës tonë elektorale duhen kërkuar te lidershipi i PS dhe unë nuk flas vetëm për kryetarin e PS-së i cili padyshim që është përgjegjësi kryesor për shkak edhe të detyrës që ka, por edhe për shkak të filozofisë së tij, për shkak të inicimit të ideve të cilat nuk mund të gjenin terren në një Shqipëri të tillë si ajo që kemi ne. Për shkak se ai i inkurajoji njerëz të cilët të stimuluar  nga etja e tij e madhe e përqendrimit të pushtetit i dhanë me qëllim formula të tilla të cilat do çonin PS-në dhe koalicionin tonë në disfatë vetëm e vetëm për të shpëtuar ata disa mandate deputetësh për veten e tyre. Ajo që ka më shumë rëndësi është që PS-ja duhet të zhvishet përfundimisht nga mentalitetet e gabuara që ka trashëguar dhe që i ka zhvilluar këto vite dhe që nuk e lejojnë atë të shikojë përtej hundës së saj.”

Krahas bashkimit të së majtës kusht për bashkëpunimin e mëtejshëm me PS-në do të jetë sipas Milos ndryshimi i kodit elektoral. Partitë në 28 qershor konkurruan për herë të parë sipas sistemit proporcional rajonal që dukshëm favorizonte dy formacionet e mëdha politike.

Paskal Milo: “Ndryshimin e kodit elektoral, por edhe të vetë sistemit e kërkon koha vetë dhe jo vetëm ne si aleat të PS-së. Sepse ai kod dhe ai sistem dështoi. Ai na prodhoi një qeverisje të cunguar, një qeverisje të pa stabilizuar përkundrejt premtimeve dhe argumenteve të autorëve që hartuan sistemin dhe kodin.”

Kodi zgjedhor është po aq një shqetësim për partitë e vogla në kampin e djathtë. Por sipas Sabri Godos President i Asamblesë së republikanëve ndryshimi i tij nuk do të jetë kushti themelor i bashkëpunimit me PD.

Sabri Godo: “Ne do të kërkojmë që ky kod zgjedhor të ndryshojë, të ndryshojë ky sistem elektoral që krijon disa probleme të cilave nuk u jep dot përgjigje. Sepse një parti fjala vjen me gjysmën e votave të PR ose edhe një çikë me pak merr po aq.”

Menada Zaimi: “Ky është një kusht për bashkëpunim i mëtejshëm me PD-në apo një gjë që mund edhe të merret në konsideratë nga PD?”

Sabri Godo: “Ne e kemi vetëm një kusht të behën ligjet për pronat. Me synimin final që prona të vej tek i zoti.”

Në të djathtë zhvillimet duken më optimiste kjo dhe për shkak të aleancave të reja që garantojnë një qeverisje të qëndrueshme. Godo thotë se bashkëpunimi i PD-LSI ishte domosdoshmëri për të mënjanuar çdo krizë të mundshme në qeverisje.

Sabri Godo: “A mund të ecin dakord për një kohë të gjatë Berisha me Metën? Më duket kjo është në mendjen e shumicës. Unë them se që të dy kanë një përvojë politike të gjatë 20-vjeçare, dinë se si zhvillohen situatat dhe ç’qëndrim duhet mbajtur në momente të dhëna, vendosën të jenë të së bashku dhe kësaj duhet t’ia dalin në krye, nëse jo do të jetë një dështim për të dy palët dhe do të jetë shumë keq për vendin. Kështu që unë them se ata e ndjejnë realisht peshën e përgjegjësisë që morëm përsipër dhe do të ecin së bashku në qeverisje.”

Godo flet dhe për zhvillimet në kampin rozë duke e konsideruar të domosdoshme dorëheqjen e kryetarit të PS Edi Rama si një hap që ndjek logjikën e humbjes së zgjedhjeve.

Sabri Godo: “Rama nuk pati sukses në atë që deklaroi në fillim se do të bashkonte te të majtët. Përkundrazi thelloi ndasitë ndërmjet forcave të majta. Pati dhe këtë rezultat në zgjedhje që e ka emrin humbje dhe tani i takon të bëjë atë që pat thënë, se në rast se humbet do të tërhiqet.”

Godo tha gjithashtu se PD-PR do të vijojnë bashkëpunimin në nivelin e qeverisjes qendrore. Negocimi me partinë më të madhe që qeveris vendin jo domosdoshmërish do të përfshijë për diskutim ministrinë e shëndetësisë.

Të hënën pasdite Partia Republikane do të përcaktojë më qartë detajet e këtij negocimi. /tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi