Pasi Shtetet e Bashkuara ndërprenë shkëmbimin e informacioneve të zbulimit me Ukrainën, Franca i ka ofruar akses në inteligjencë Kievit.
Ministri i Mbrojtjes Sebastien Lecornu ka bërë të ditur se Franca ka burime të mjaftueshme të inteligjencës për të ndihmuar ukrainasit.
“Është pezulluar që pasditen e djeshme,” shtoi ai, duke iu referuar shkëmbimit të inteligjencës amerikane me Ukrainën. “Unë mendoj se për miqtë tanë britanikë që janë në një komunitet të inteligjencës me Shtetet e Bashkuara, është më e ndërlikuar”, tha Lecornu.
Lecornu tha gjithashtu se rezervat e armëve bërthamore të Francës, të krijuara gjatë Luftës së Ftohtë dhe të dizajnuara për të qenë të pavarur nga fuqitë e atëhershme dominuese Uashingtoni dhe Moska, ishin të mjaftueshme.
Duke folur për radion France Inter, ai tha gjithashtu se Presidenti Macron i kërkoi atij të përshpejtonte paketat e ndihmës franceze “për të kompensuar” ndihmën e pezulluar të SHBA.
“Franca është shprehur e hapur për të diskutuar zgjerimin e mbrojtjes së ofruar nga arsenali i saj bërthamor për partnerët e saj evropianë përballë kërcënimit të Evropës nga Rusia”, deklaroi Macron në një fjalim para kombit.
I pari që konfirmoi ndërprerjen e informacionit të zbulimit ishte drejtori i CIA-s, John Ratcliffe. Ai tha se vendimi është marrë nga Presidenti Trump pas përplasjes në Zyrën Ovale, tjetër shenjë kjo e presionit ndaj Zelenskyt për t’u ulur në tryezën e bisedimeve të paqes.
Pezullimi i ndarjes së informacionit të zbulimit mund të dëmtojë aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmet raketore ruse dhe nënvizon vendosmërinë e Presidentit Trump për të përdorur levat në dispozicion ndaj një aleati në luftë, ndërsa mban një qasje më butë ndaj Moskës.
Mbetet e paqartë nëse pauza për ndarjen e inteligjencës është e pjesshme apo e plotë dhe sa kohë do të mbetet në fuqi.
Klan News