Sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj kompanisë kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) synojnë Rusinë, jo Serbinë.
Kështu deklaroi gjatë konferencës së përbashkët me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, Zëvendës Sekretari i Shtetit i SHBA për Menaxhimin dhe Burimet, Richard Verma, i cili thekson se fitimet e saj, Rusia i përdor për agression saj kundër Ukrainës, jo per Serbinë.
“Kemi biseduar me presidentin se si ta bëjmë këtë ndryshim në strukturën e pronësisë. Sanksionet nuk janë aspak të drejtuara kundër Serbisë apo popullit të Serbisë. Nuk do të ketë pasoja ekonomike për Serbinë nëse pronësia ruse e NIS-it hiqet. Ndryshimi i strukturës së pronësisë do të kontribuojë në më shumë paqe në rajon”, tha Verma.
Ndërsa vetë presidenti serb u shfaq i pakënaqur nga ky qëndrim, duke e cilësuar si një ngushëllim të dobët. Vuçiç kërkoi më tepër kohë për të sqaruar këtë situatë edhe me Moskën.
“Ne nuk do të vjedhim pronën e dikujt, në këtë rast pronën ruse. Nëse duhet të paguajmë çmimin, do ta paguajmë çmimin, por nuk mendojmë të vjedhim diçka. Ne duhet të dalim me zgjidhje racionale në interes të qytetarëve të Serbisë”, tha Vuçiç.
Kompania ruse Gazpromneft aktualisht ka 50 për qind të pronësisë në NIS, ndërsa 6.15 për qind ia shiti Gazpromit për shkak të sanksioneve të vendosura më parë.
Tv Klan