“Ngritja e Gjykatës Kushtetuese nuk i jep zgjidhje”
Të gjithë atyre që thonë se zgjidhjen për krizën do ta japë Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u përgjigjet se zgjidhjen e ka dhënë institucioni që ai drejton dhe s’kanë pse ta kërkojnë tek nje institucion që nuk ekziston.
Mesazhin, që thotë se u drejtohet atyre që bëjnë si të paanshëm, Presidenti e dha me postimin e nje videoje ku ai tregon se po bën një terapi të veçantë, gjatë një eksplorimi në malet e Shqipërisë, eksplorime që i ka bërë të zakonshme kohët e fundit.
“Pas një terapie me ujë bore, më lindi një pyetje që dua ta ndaj me ju dhe që u drejtohet atyre të cilët bëjnë si të paanshëm, pasi kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe Kryeministrit tonë, i cili në fund të fundit përfaqëson një anë politike. Pse nuk keni sy për të parë apo veshë për të dëgjuar zgjidhjen e krizës që ka dhënë një institucion që ekziston, por ia kërkoni zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston, falë edhe paanësisë tuaj tepër të vonuar? Kaq të domosdoshëm e keni dështimin e çeljes së negociatave për vendin tonë në 18 tetor”?
Sugjerimin për të pritur ngritjen e Gjykatës Kushtetuese e dha dy ditë më parë Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Palmer.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se vetëm kjo gjykatë mund t’i japë përgjigje pyetjes nëse zgjedhjet e 30 Qershorit ishin legjitime teksa sqaroi se Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. Postimi i Presidentit ngjan si reagim ndaj zyrtarit të lartë amerikan që foli në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidenti reagoi edhe një ditë pas kësaj deklarate, duke thënë se cilido të jetë vendimi i gjykatës, 30 Qershori është nul pasi vendimi nuk mund të ketë fuqi prapavepruese.
Tv Klan