E lënë në harresë prej vitesh, sot kinemaja “Maks Velo” në Laprakë do të rigjallërohet për publikun. Në vitet ’70 ajo u projektua nga vetë arkitekti Maks Velo dhe tashmë do të rimarrë funksionin e saj si vatër për kinemanë dhe artin.
Inagurimi do të ndodhë pas pak minutash, në orën 18:00 dhe për të shpjeguar pak më shumë rreth kësaj ngjarjeje, drejtori i Agjencisë së Industrisë Kreative iu bashkua programit “Rudina” në Tv Klan përmes një lidhjeje Skype.
Jonid Jorgji: Sot për pak minuta jemi gati për ta rikthyer në jetë këtë kinema që prej vitesh i ka munguar zonës por edhe qytetit. Kinema “Maks Velo”, dikur me emrin “Ylli i kuq”, i projektuar nga arkitekti i famshëm shqiptar Maks Velo, që në vitet ’70 ishte një kinema për zonën dhe qytetin shumë dinamike ku shfaqeshin të gjithë filmat e kohës, por që prej viteve ‘90 është një hapësirë e braktisur dhe e lënë pas dore. Sot unë jam shumë i lumtur që ia sjellim edhe njëherë qytetit.
Rudina Magjistari: Sa e madhe është kinemaja brenda, sa vende ka?
Jonid Jorgji: Është një kinema e mjaftueshme, e madhe për zonën me 143 ulëse që po ta mendosh është më e madhe edhe se kinema “Agimi” ku ne sot presim 3 evente në ditë, presim gati 300 spektatorë në ditë, kështu që me këtë kinema që është edhe më e madhe në kapacitet, besoj që do të jetë në të njëjtat nivele, në të njëjtën pjesëmarrje, në të njëjtin interes që kanë banorët e “Agimit”, e qendrës së qytetit, i njëjti interes do të jetë edhe në zonën e Laprakës.
Sa i përket filmave, kinemaja do të shfaqë prodhime tepër të veçanta dhe të zgjedhura.
Jonid Jorgji: Do të jetë një kinema e cila do të shfaqë filma shqiptarë, por edhe filma që ne kemi të drejtat për t’i shfaqur ku jemi pjesë e një netëork-u sdhumë të gjerë për filmat europianë. Këtu do të shfaqim shumë filma europianë, filma autor, ajo kinema që quhet ekspresive, ajo kinema që i mungon qytetit. Do të jetë një kinema e veçantë, filmat do të jenë gjithashtu të veçantë. Do të jetë për një publik jo vetëm të Laprakës, por të të gjithë qytetit sepse qyteti tashmë është më policentrik, është një qytet ku zhvillohen aktivitete në çdo cep të tij kështu që zona e Laprakës nuk mund të quhet më periferike si dikur, është një zonë qendrore sa i përket shumë aktiviteteve që ka.
Eventi i parë që kinemaja do të mirëpresë është Festivali i Video Arkivës Shqiptare që do të zgjasë për 5 ditë./tvklan.al