Rubrika “Ka një mesazh për ty”, në TV Klan solli ditën e sotme një konflikt tepër të madh midis dy ish-bashkëshortëve për një banesë.

Artistja e njohur, Burbuqe Rada në muajin Qershor të këtij viti humbi djalin e saj të vetëm. Sikur të mos mjaftonte dhimbja që është duke përjetuar, artistja është duke u përballur edhe me një konflikt të madh për pronën. Nga njëra anë është komshia e saj, e cila kërkon të marrë banesën që ajo i ka dhënë fjalën se do t’ia shesë, dhe nga ana tjetër është edhe ish-bashkëshorti, i cili kërkon pjesë tek ajo shtëpi.

Në një lidhje telefonike, ish-bashkëshorti i artistes së njohur, Fatmiri u shpreh se ai kërkon pjesën që i takon tek ajo shtëpi. Gjithashtu shtoi se ajo i ka marrë shtëpinë komplet në periudhën që janë divorcuar në vitin ’87.

Fatmiri: Nuk është thjesht puna tek pjesa e djalit tim, por në kohën e atëhershme mua ajo zonjë më ka marrë shtëpinë komplet dhe e ka shitur 40 milionë lekë.

Eni Çobani: Po për çfarë shtëpie pretendoni ju që iu ka marrë zoti Fatmir sepse unë këtu kam një kontratë privatizimi ku në bazë të ligjit të kohës, kush figuronte në trungun familjar të këtyre banesave përfitonin pronësinë. Dhe në atë kohë zonja Burbuqe Rada figuronte si kryefamiljare vetëm me djalin e saj, ju ishit ndarë që në vitin ’87.

Fatmir: Po që në ’87!

Eni Çobani:  Po atëherë për çfarë pjese pretendoni ju?

Fatmir: Po ma mori komplet shtëpinë ajo!

Eni Çobani: Po shtëpinë ia la gjykata, nuk e mori Burbuqja.

Fatmir: Ajo gjykatë e di unë si është marrë shtëpia me ndërhyrjen e asaj, edhe ishte një vendim i padrejtë. Ka patur ndërhyrje në atë gjykatë, ndërhyrje shumë të mëdha.

Eni Çobani: Për çfarë ndërhyje bëni fjalë se flasim për një vendim të 33 viteve më parë. Është mbyllur ai kapitull zoti Fatmir. Pra është mbyllur edhe vendimi, edhe shtëpia, i ka takuar zonjës Burbuqe, nuk i kthehemi dot pas, se ju duhet të kishit bërë apelim të vendimit.

Fatmir: Zonja Eni ajo pronë ishte e imja, pas ligjeve të sotme gjithmonë prona kthehet.

Eni Çobani: Jo zoti Fatmir. Ju jeni ndarë në ’87 dhe nuk keni asnjë marrëdhënie me këtë zonjë që prej 33 vitesh dhe unë do të bëja vetëm një pyetje. E ke çuar këtë vendim në Gjykatë të Apelit dhe në Gjykatën e Lartë dhe është lënë në fuqi vendimi i korruptuar, që thoni ju, por që për mua është shumë i saktë. Atëherë për çfarë vendimi bëni fjalë, ka marrë fund ky vendim.

Fatmir: Zonja Eni mund të flasim nga afër ne të dy, se në telefon nuk zgjidhen këto muhabete.

Eni Çobani: Po patjetër unë sapo e bëra këtë ftesë për ju.

Eni Çobani: Pyetja ime e fundit: Ju kërkoni pjesë në shtëpinë e privatizuar të ’92 apo këtë që zonja Burbuqe ka blerë në vitin 2009?

Fatmir: Unë dua t’i zgjidh problemet nga afër zonja Eni. Unë do zbatoj ligjet e drejtësisë, jam dakord me ligjet.

Eni Çobani: Fatmir ju kërkoni pjesën trashëgimore nga djali juaj, që për dëshirë të nënës së tij e ka vënë pjesë në këtë pronë dhe ju kërkoni pjesën e djalit tuaj të ndjerë mbi një banesë që ka kontribuuar vetëm zonja Burbuqe Rada me prindërit e saj, a e kuptoni dot këtë pjesë?

Fatmir: Siç kontribuova unë atëherë zonja Eni.

Eni Çobani: Jo nuk keni kontribuuar asgjë i nderuar, se banesat kanë qenë të shtetit dhe banesat i jepte shteti. Ju s’keni kontribuuar asgjë Fatmir, më vjen keq që të përgjigjem me këtë gjë. Ju keni jetuar në shtëpitë e shtetit, unë, ju dhe gjithë shqiptarët dhe shteti në vitin ’92 nxorri një ligj për t’iu njohur kontributet shqiptarëve dhe për t’iu kthyer të paktën ato banesat me 40-50 metra katrorë./tvklan.al