Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Përçarja e kryesisë së Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në Korçë ka detyruar kreun e saj Vasil Melo, të niset urgjentisht atje. Meqë dyert e zyrave i gjeti të mbyllura, kërkoi mbledhjen urgjente të këshillit drejtues në një mjedis tjetër. Kryetari lokal para disa ditësh, ka përjashtuar më shumë se gjysmën e anëtarëve të kryesisë dhe ka emëruar të tjerë pa pyetur këshillin dhe sinjalizuar kryesinë e partisë në qendër.
Vasil Melo i ka quajtur këto veprime reflektim të qëndrimeve përçarëse të Leonard Solis e Gjergj Lekës.
Vasil Melo, Kryetar i PBDNJ:- “Sigurisht që këto që ndodhin këtu në Korçë, janë edhe disi reflektim i disa mosmarrëveshjeve që ka edhe në qendër të partisë”.
Kështu në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga Melo, u vendos ruajtja e këshillit drejtues, shkarkimi i ish-kryesisë dhe krijimi i një komisioni që do të drejtojë degën e PBDNJ në Korçë deri në konferencën e ardhshme./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego