93% e barnave që ndodhen në farmacinë qendrore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” sipas opozitës janë të skaduara. Demokratët thonë se ilaçet janë dhuruar nga një kompani farmaceutike e cila do të duhet t’i kishte asgjësuar. Për këtë arsye ata ftojnë prokurorinë të hetojë, pasi sipas selisë blu kjo është një vepër e pastër korrupsioni nga ana e Ministres së Shëndetësisë për të favorizuar mafian e ilaçeve.
“4 miliardë e rreth 550 milionë lekë është vlera e 15 ton barnave të skaduara për të cilat prokuroria duhet të kishte nisur menjëherë hetimin për të vënë para përgjegjësisë çdo person që I ka shërbyer Mafias së Ilaçeve dhe, me dashje, ka dëmtuar në mënyrë kriminale shëndetin e qytetarëve dhe buxhetin e shtetit”.
Por këto akuza të opozitës Ministria e Shëndetësisë i ka cilësuar shpifje. Përmes një reagimi në rrjetet sociale Manastirliu thotë se në Farmacinë e QSUT, nuk ka ilaçe të skaduara, pasi çdo medikament merret në dorëzim nga një grup verifikimi, hyn në farmaci sipas një sistemi të dixhitalizuar dhe dorëzohet në shërbime, i kontrolluar nga ekipet përgjegjëse. Sa i përket barnave të skaduara të akumuluara prej viteve 2009 e në vijim, në magazinat e QSUT, shkruan Ministria e Shëndetësisë është hapur procedura e asgjësimit të tyre nga institucioni përgjegjës.
Tv Klan