“Stop krimit të lidhur me pushtetin!”-ishte kjo thirrja në unison e eksponentëve të Partisë Demokratike. Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi i pranishëm në marshim-protestën në Shkodër tha se sot është atje së pari si qytetar, pas atentatit mafioz më 30 Tetor në Dobraç.


“Unë do e konsideroja marshim qytetar, pavarësisht pozicioneve politike. Unë sot jam këtu si qytetar i Republikës së Shqipërisë që kam vendosur të jetoj në Shqipëri si shumica dërrmuese e bashkëqytetarëve tanë. Ky marshim është thirrur për mospajtimin tonë për një realitet të trishtë për një prej qyteteve më të mrekullueshme që ka Shqipëria. Shkodra duhet të jetë nën pushtetin e qytetarëve të ndershëm, të kulturuar…Shkodra është e shquar për shumëçka dhe nuk mundet kurrë të bëhet lajm për ngjarje të rënda. Sot më shum sesa politikan, secili prej nesh është këtu si qytetar! Policia e Shtetit do të duhet të bëjë detyrën, të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të krimit të organizuar.“

Edhe për Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj force politike Flamur Noka, situata me bandat kriminale është tejet serioze.

“Jemi këtu kundër regjimit që ka instaluar bandat në Shkodër dhe që kërkon të mbajë nën terror Shkodrën, me qëllim për të tjetërsuar vullnetin politik në zgjedhjet e ardhshme. Shkodra, qytet që ka prodhuar kulturë, që mbahej si djepi i dijes, sot është djepi i krimit të organizuar. Shkaktari i vetëm është Edi Rama dhe Rilindja. Nuk mundet Shqipëria që është vend anëtar i NATO-s dhe ka hapur kapitujt me BE-në të jetë vend i krimit të organizuar e djep i mafies. Jemi këtu për t’i thënë Stop!”

Ish-kreu i kësaj bashkie, Bardh Spahia hodhi akuza ndaj qeverisë Rama duke thënë se mazhoranca i siguron votat përmes krimit.

“Tanimë s’ka dyshim asnjë qytetar se krimi i organizuar me mbështetje politike, me mbështetje direkte të kryeministrit Rama dominon jetën publike, sociale të qyteteve tona. Veçanërisht, të Shkodrës! Masakra e fundit ishte një thirrje ulëritëse për strukturat e shtetit për t’u shkul nga krimi i organizuar dhe për të kryer detyrën e tyre. Për fat të keq, siç kemi parë në përgjimet e fundit të bëra publike, ka pasur një implikim të thellë të strukturave të shtetit në mbrojtjen e krimit. Kjo s’mund të ndodhte pa mbështetjen e politikës. Krimi i organizuar siguron votën për Edi Ramën dhe mazhorancën e tij. Pasojat sigurisht i vuajnë qytetarët shkodranë dhe jo vetëm…”

Deputetët demokratë Edi Paloka e Luçiano Boçi theksuan se Shkodra s’mund të kthehet në një qytet “peng i krimit të organizuar”.

Edi Paloka: Këto marshime i keni parë mbase dikur në Palermo, kundër mafies. Mesazhi është i qartë, stop krimit dhe bandave të lidhura me pushtetin! Shkodra s’mund të ngelet peng i krimit sepse kemi një qeveri kriminale.

Luçiano Boçi: Ulërima vjen nga brenda Shkodrës, nga qytetarët e saj. Të provokuar nga Edi Rama, nuk duan që qyteti i kulturës, këngës e gëzimit, të kthehet në qytetin e bandave dhe të krimit. Domosdoshmëria për qeveri teknike është reale dhe faktike. Nuk mundet që Rama të përsërisë pushtetin e tij me anë të krimit! S’mund ta lejojmë!

/tvklan.al