Shkodra u trondit sot nga një ngjarje e rëndë. Si pasojë e një atentati në Dobraç të Shkodrës mbetën të vrarë tre persona, mes tyre dhe një grua e pafajshme, kurse bashkëshorti i saj, Bashkim Basha ndodhet në spital në gjendje të rënduar, duke luftuar për jetën.

Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan tha se sot Shkodra ishte e boshatisur nga qytetarët. Ngjarja e rëndë shënoi një bilanc lufte në këtë qytet. Teksa më tej shtoi se ngjarja ishte e paralajmëruar duke marrë shkas nga atentati i disa javëve më parë ndaj 32-vjeçarit Arlind Bushati. Sipas Bardh Spahisë është shqetësuese fakti që krimi i organizuar ka marrë nën kontroll totalisht gjithë vendin, e në veçanti Shkodrën.

Bardh Spahia: Shkodra sot po e mbyll ditën me një masakër, me një bilanc lufte. E filloi me djegien e dy makinave në përdorim të një oficeri policie në mëngjes dhe e vazhdoi ditën me atë masakër të tmerrshme, që mori dhe jetë të pafajshme. Sigurisht që nuk ishte e paparalajmëruar me të drejtë e tha dhe gazetarja nga Shkodra, me të drejtë themi se ishte një ngjarje e paralajmëruar.

Blendi Fevziu: Për arsye të atentatit të tre javëve më parë.

Bardh Spahia: Për arsye të asaj tentative të tre javëve më parë apo dhe ngjarjeve të tjera të mëparshme. Ajo që kuptojnë sot qytetarët shkodranë, të cilët e kanë vuajtur jashtëzakonisht shumë këtë situatë sot. Po më njoftonin miqtë dhe të njohurit e mi që Shkodra sot ishte një qytet pothuajse i boshatisur.

Blendi Fevziu: Kur ndodh një situatë si kjo njerëzit zhduken, kjo është normale. Mbyllet secili në shtëpi.

Bardh Spahia: Pra atmosfera në një qytet nga më të rëndësishmit e Shqipërisë, i cili njihet jo vetëm për kulturën, por dhe për atmosferën e gëzuar, festive, gjendet sot thellësisht i tronditur dhe i pafuqishëm, i vetëm karshi krimit të organizuar i cili duket sikur ka marrë totalisht nën kontroll situatën në Shqipëri në përgjithësi dhe veçanërisht në Shkodër.

Blendi Fevziu: Spahia, kjo përplasje mesa bandave është për interesa apo është për banalitete, se këtu duket sikur është për banalitete.

Bardh Spahia: Ka për interesa, ka dhe për ngjarje krejtësisht banale. Ajo se çfarë është e rëndësishme, është se çfarë vërehet tek qytetarët sot, që është sensi i vetmisë së plotë në përballje me këtë situatë. Ajo se çfarë është evidente sot dhe që dëgjohet nga çdo qytetar i Shkodrës, është mungesa e plotë e shtetit dhe aq më keq akoma përfshirja e strukturave të shtetit, të cilat do të duhet të luftonin krimin e organizuar dhe këto banda janë thellësisht të përfshira në këto ngjarje, të përdorura nga krimi edhe madje të imponuara dhe të drejtuara nga krimi organizuar./tvklan.al