Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Vendimi për të pushuar çështjen për mungesë provash nga organizatës “Hakmarrja për drejtësi”, ka sjellë një nga reagimet më të ashpra të kohëve të fundit nga Partia Demokratike. Në një deklaratë zyrtare, sekretari për marrëdhëniet me publikun në PD Spartak Ngjela, ka cilësuar si terroristë anëtarët e kësaj organizate dhe ka lëshuar alarmin, se krimi i organizuar po çon drejt falimentimit shtetin shqiptar.
Spartak Ngjela:- “Ne e konceptojmë këtë si fillimi i falimentimit total të shtetit. I bëjmë thirrje institutit të akuzës, gjykatave, të kenë parasysh se grupi që kanë liruar, ne kemi të dhëna të plota që kanë qenë në shërbim të SHIK-ut në kohën e Fatos Klosit. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje drejtorit të ri, ta zbardhi këtë çështje. Nëpërmjet Klosit dhe Boberatit, ai grup ka punuar me Shërbimin Informativ, kurse e gjithë veprimtaria e tij kriminale terroriste është e provuar”.
Sipas PD, krimi i organizuar po rrezikon tani edhe biznesmenët shqiptarë dhe këtë deputeti Ngjela e ka lidhur me kryebashkiakun e Tiranës Edi Rama, për të cilin partia në pushtet tha ai, po bllokon hetimin nga Parlamenti.
Spartak Ngjela:- “I bëjmë thirrje biznesit të rezistojë, se shumë shpejt gjendja do të ndryshojë. E vetmja shpresë e tij është rrëzimi sa më i shpejtë i kësaj qeverie. Të hënën që vjen, presim betejë të madhe parlamentare për mbrojtjen e Kushtetutës. Hetimi parlamentar është për neve, pika kryesore e kontrollit të një shteti të korruptuar. Bllokimi i Kushtetutës për këtë fakt, do tregojë, që krimi i organizuar po avancon drejt Parlamentit”./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço