I ftuari i kësaj të shtune në Televizionin Kombëtar Klan News ishte ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj. Në hapësirën me gazetarin Besard Jacaj, Demiraj veç zhvillimeve në Lindjen e Mesme si pjesë kryesore e bisedës, u ndal edhe tek kërkesa e opozitës shqiptare për qeveri teknike.
“Duke qenë se PS ka qenë në pushtet për 3 mandate, unë mendoj se opozitës i takon që të zbatohet kjo kërkesë. Sa i takon funksionalitetit varet nga marrëveshja midis dy liderëve që do të firmosin këtë marrëveshje. Mirëpo, nisur nga eksperienca e 2017-ës, nuk mendoj se ministrat që do të jenë pjesë e këtyre dikastereve për një kohë të shkurtër për mundësimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme sikurse kërkon opozita, kanë mekanizmat e duhura për të ushtruar kontrollin e tyre mbi këto agjenci apo ministri. Nuk do të jetë e lehtë sepse i gjithë personeli ka vite që është në punë dhe sigurisht nuk do të ketë mundësi dhe aftësi ministri të kontrollojë të gjitha këto shkelje”, tha Demiraj.
Pra, a është qeveria teknike garantuese e zgjedhjeve? Duke komentuar shkurt kushtin që PD i ka vënë mazhorancës, Demiraj tha se: “Sipas meje në rast se do të bëhet mbi bazën e formulës dhe frymës së vitit 2017 nuk do të ketë. Nuk është e mjaftueshme për të respektuar këtë kërkesë që ka opozita.”
Në vitin 2017, Demiraj ishte një nga 6 ministrat teknikë të qeverisë socialiste që u bënë pjesë e kabinetit për pak muaj pas marrëveshjes Rama-Basha.
I pyetur nëse do të pranonte një kërkesë të tillë sërish, ish-ministri u shpreh i gatshëm për t’u rikthyer kudo që eksperienca e tij do të kërkohej.
“Pa diskutim, çdo kërkesë që do të më bëhet nga çdo forcë politike, background-i im 35-vjeçar është ushtarak. Në çdo vend që mendohet se është e vyer dhe do të kërkohet eksperienca ime, unë jam i gatshëm të rikthehem.”/tvklan.al