Qyteti i Fierit ka tashmë një  hyrje të standardeve bashkëkohore. Kryeministri Berisha ka ndarë së bashku me banorë të lagjes “Sheq i Madh” gëzimin për inaugurimin e kësaj rruge 1.8 kilometra të gjatë. Siç tha dhe vetë shefi i qeverisë, ky aks i jep qytetit të Fierit frymëmarrjen që meriton si një qendër e rëndësishme ekonomike për Myzeqenë dhe gjithë vendin.

Sali Berisha: “Një hyrje moderne për Fierin, i cili është një qytet nga më kryesorët e vendit dhe gradualisht po fiton të gjithë strukturën moderne që meritojnë. Së shpejti fillon baypasi dhe i përjashtohet i gjithë trafiku, përveç atij që ka në destinacion Fierin. Kjo është një hyrje e parametrave evropian, një investim prej 285 milion lekë të reja. Siç e shihni me ndriçim dhe me të gjithë pamjen dinjitoze për qytetin e Fierit. Sot janë inauguruar të përftuara për përfundim e sipër investimet që shkojnë 190 milion euro.”

Në këtë inaugurim kreu i qeverisë ishte i shoqëruar nga kandidatët për deputetë te partisë Demokratike për këtë qark, Mesila Doda e Sokol Olldashi. Ky investim i ka kushtuar buxhetit të shtetit rreth 3 miliardë lekë. Rruga është 14 metra e gjerë dhe me katër korsi. Ajo është vazhdim i autostradës Lushnje-Fier dhe përveç të tjerash është e pajisur me ndriçim, lulishte dhe trotuare./tvklan.al