Me në krah kandidatët për deputetë kryeministri Sali Berisha ka hapur fushatën në Tiranë. Fjalimi përpara qytetarëve kishte si refren Tiranën dhe Shqipërinë europiane, objektivi kryesor i demokratëve për të realizuar brenda mandatit të radhës qeverisës. Si në çdo qytet të vendit edhe në Tiranë kryeministri i shprehu mirënjohjen e thellë qytetarëve për anëtarësimin e vendit në NATO, aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE. 

Katër vitet që vijnë theksoi kryeministri Berisha, do të jenë vitet e një projekti madhor për vendin.

Sali Berisha: “Projekti në të cilin qytetarët shqiptarë, qytetarët e Tiranës njëlloj si ata të vendeve europiane, do kenë rrugët, autostradat, transportin e standardeve më të mira. Tirana europiane dhe Shqipëria evropiane, do të jetë Tirana e qytetarit dhe Shqipëri e qytetarit me 24 orë ujë në mbarë vendin me shkollat më të mira, me shërbim shëndetësor dinjitoz për një qytetar europian.”

Kryeministri foli për vende të reja punë 160 mijë është synimi i demokrateve për mandatin e ardhshëm. Programi parashikon rritje të pensioneve e pagave, duke e shndërruar Tiranën siç tha kryeministri, në kryeqytetin e punës, biznesit projekteve të mëdha dhe zhvillimit.

Sali Berisha: “Tirana do të jetë në 4 vite kryeqyteti i metrosë moderne, më të re në Europë, i unazës së madhe, i korridoreve të saj. Tirana europiane, Shqipëria europiane do të jetë kryeqyteti i vendit qytetarët e të cilës, pensionistët e të cilës do të paguhen edhe më mirë se ata në 6 vende anëtare të BE-së. Tirana europiane do të jetë Tirana e lirive, do të jetë Tirana e prestigjit, Tirana e dinjitetit të këtij kombi.”

Nga sheshi “Skënderbej” kryeministri Sali Berisha ftoi kryeqytetasit, por edhe gjithë shqiptarët të votojnë Partinë Demokratike.

Sali Berisha: “Këtu në Tiranë ku ne nisëm tonë të lirisë do shndërrojmë në realitet ëndrrën tonë të bukur. Tirana garantuese, Shqipëria garantuese për anëtare të BE-së do shndërrojmë në realitet ëndrrën tonë të bukur. Tirana gati nuse, Shqipëria gati nuse për anëtare të BE-së, rroftë Tirana, rroftë Shqipëria, rroftë fitorja! Së bashku me 28 qershor të rikthejmë lavdinë tonë elektorale, 22 marsin e vitit 92.  Fitore, fitore, fitore.”

“Shqipëria po ndryshon” është logo që udhëheq në këtë fushatë për zgjedhjet e 28 qershorit partinë demokratike. Logo që ka shërbyer si lajtmotiv kryesor i këngës që kjo forcë politike do të përcjellë gjatë gjithë takimeve e saj elektorale.  Ishte rasti për ta bërë atë publike me hapjen e fushatës në Tiranë. …./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi