Lajme Arkiva 2003
Ngjarjet e dhunshme që tronditën botën e biznesit, vrasja e biznesmenit të hekurit Florian Vila dhe rrëmbimi i nipit të biznesmenit të çimentos Sulo Shehu ka nxitur Partinë Demokratike ti kërkojë parlamentit miratimin e një projekt-rezolute për mbrojtjen e biznesit nga krimi.
Drafti i firmosur nga 17 deputetë të opozitës evidenton tolerancën shtetërore si faktor përcaktues në përhapjen e këtyre krimeve dhe në përkeqësimin e situatës dhe rritjen e pasigurisë në mjedisin e biznesit.
Në këto kushte projekt-rezoluta i kërkon prokurorisë, policisë dhe shërbimit të fshehtë që të zbardhin me urgjencë të vërtetën e këtyre krimeve si dhe mos përfshirjen e individëve apo strukturave të pushtetit në organizimin, nxitjen apo fshehjen e krimit.
Rezoluta i tërheq vëmendjen qeverisë për mungesën e angazhimit të mjaftueshëm në luftën kundër këtyre krimeve që kanë tronditur botën e biznesit.
Drafti i propozuar nga demokratët i kërkon qeverisë së kryeministrit Nano, të marrë të gjitha masat e nevojshme ligjore dhe institucionale për eliminimin e monopoleve të ligjshme dhe të paligjshme në tregun shqiptar, ndërprerjen e politikave diskriminuese ndaj biznesit dhe të praktikave të klientelizmit si dhe liberalizimin praktikave të lejeve dhe të licencimeve.
Vetë parlamenti nëpërmjet kësaj projekt-rezolute angazhohet të miratoj sa më shpejtë ligjin për ndryshimin rrënjësor të klimës shtetërore ndaj biznesit në Shqipëri./tvklan.al