Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Shtyrja e nënshkrimit të marrëveshjes mes FMN-së dhe Shqipërisë, për shkak që siç thuhet të mosplotësimit të detyrimeve nga qeveria Nano, ka shtuar presionet e brendshme. Vetëm një ditë pas qëndrimit të FMN-së, PD ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Fatos Nanos. Sipas sekretarit të përgjithshëm demokrat Ridvan Bode, Nano dhe qeveria e tij, po mbajnë peng vendin në procesin e reformave ekonomike dhe politike.

Ridvan Bode:- “Ne mendojmë, që nuk është koha për të kërkuar shkarkim personash, që emërohen nga Nano në mënyrë të përditshme, por është koha për t’i kërkuar Nanos, që të tërhiqet, të japë dorëheqjen dhe t’i hapi rrugë procesit të stabilizimit të vendit. Faktorë nuk është individi i veçantë, apo persona të veçantë, që janë në krye të disa institucioneve dytësore. Faktor madhor është bërë Fatos Nano dhe qeverisja e tij, dhe interesi i kryeministrit Nano, për të vënë nën kontroll të gjitha segmentet e qeverisjes, nga ku mund të përfitohen në mënyrë abuzive”.

Por pavarësisht qëndrimit të ashpër, PD nuk është ende e gatshme të përballet në Parlament me kryeministrin Fatos Nano dhe nuk ka vendosur të paktën deri tani, të kërkojë një mocion mosbesimi.

Ridvan Bode:- “Ne në varësi të numrit të votave që disponojmë nuk mendojmë, që jemi të mjaftueshëm për të kërkuar rrëzimin e Nanos. Kemi ndërmend të ngremë komisione hetimore për të bërë transparencën e qeverisjes, po ashtu për të kontribuuar në luftën kundër korrupsionit”./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço