“Cënon sovranitetin dhe sigurinë kombëtare, do e anulojmë”
Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Rama se i ka dhënë oligarkëve të karburanteve dhe ndërtimit me koncension një port privat të Porto Romanos të Durrësit.
Selia blu e cilëson këtë koncension korruptiv pasi sipas saj privatizon sovranitetin shtetëror, cënon sigurinë kombëtare dhe paralajmëron anulimin e tij pas ardhjes në pushtet.
“Në kulmin e krizës së vendit, Edi Rama po i jep tre oligarkëve të vendit me koncesion një port privat mallrash për të ngarkuar dhe shkarkuar çdo lloj malli që hyn e del nga Shqipëria. me një shtesë të kontratës së koncesionit, ka vendosur që këtë port karburantesh ta kthejë në port për çdo lloj malli të menaxhuar nga këta oligarkë, njësoj si Porti i Durrësit. Kjo është shkelje flagrante e ligjeve dhe e standareve të sigurisë kombëtare të vendit. Ky është një skandal korruptiv dhe me pasoja të rrezikshme për Shqipërinë. Ky port privat për mallrat cënon sigurinë kombëtare të Shqipërisë, dobëson luftën kundër trafiqeve dhe kontrabandës ndërkombëtare, përfshi trafikun e drogës. Parlamenti dhe qeveria e re e dalë nga votat e shqiptarëve do ta anulojë me efekt prapaveprues këtë vendim të paligjshëm dhe do t’i vendosë të gjithë përgjegjësit para drejtësisë”, deklaroi Çlirim Gjata.
Tv Klan