Në selinë e Partisë Demokratike u zhvillua pasditen e kësaj të diele mbledhja e Këshillit Kombëtar, forumit më të lartë vendimmarrës pas Kuvendit. Në fjalën e tij kryedemokrati Sali Berisha tha se burgosja e Ervin Salianjit është një thirrje lufte për opozitën.
“Unë kam besim shumë tek AND-ja e shqiptarëve ndaj dhe bëj sot një thirrje në radhë të parë opozitës. Së pari demokratëve, burgosja e Salianjit ishte deklarata e fundit e luftës që Edi Rama shpalli ndaj nesh. Të hidhemi në sulm me të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Sonte unë ftoj besimtarët muslimanë, bektashinj, katolikë, ortodoksë, të bashkohen më 7 Tetor, sepse pasardhësi i diktaturës hoxhiste që lau me gjak, martirizoi dhe bëri të pavdekshëm krerët e besimeve fetare shqiptare dhe mijëra e mijëra besimtarë të Zotit, sot po përpiqet sërish të keqpërdorë besimet e mëdha të këtij kombi për qëllimet më kriminale, për qëllimet më antishqiptare”, tha mes të tjerash në fjalën e tij Berisha.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar u vendos gjithashtu që të shtyhet protesta e thirrur për në fund të javës që vjen, nga e diela e datës 6 Tetor, për të hënën e datës 7 Tetor. Kjo protestë do të nisë në orën 18:00.
“Ditën e hënë, datë 7 Tetor 2024, ora 18:00, fton qytetarët shqiptarë të bëhemi të gjithë bashkë në Tiranë, për të reaguar kundër padrejtësive me autor të vetëm Edi Ramën. Mospajtimi me padrejtësinë është mision i çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Mospajtimi me të keqen fillon nga Kryeministria dhe shtrihet atë ditë në të gjithë rrugët e Tiranës”, njoftoi PD.
Tv Klan