Shoqëruar nga aleatët e koalicionit të djathtë, Partia Demokratike mbylli fushatën për zgjedhjet në Bashkinë e Dibrës. Duke kërkuar votën e dibranëve për Sherefedin Shehun, kryetari i demokratëve, Lulzim Basha akuzoi qeverinë se ka angazhuar në fushatë persona të inkriminuar, për t’u bërë presion qytetarëve.

“Keni parë banda që vijnë vërdallë, banditë të importuar, që sillen si çamër por që s’kanë asgjë të përbashkët as me çamë dhe as me dibranë pasi janë horra. Kë përfaqësojnë vallë këta kriminelë? Përfaqësojnë socialistët? Nuk e besoj! Socialistët e ndershëm unë i kam takuar dhe ata sot folën këtu në sheshin e burrave. E treguan publikisht socialistët e ndershëm pse nuk ndihen të përfaqësuar. Ata dolën sot dhe i thanë çdo dibrani se socialistët e ndershëm distancohen nga krimi. Kë përfaqësojnë kriminelët? Përfaqësojnë Edi Ramën dhe janë këtu sepse duan bashkinë e Dibrës si plaçkë që ta copëtojnë dhe ta ndajnë më vete. Duan ta mbjellin me drogë cep më cep për bandat. Duken kodrat të mbushura me drogë. Ku dibranët nuk shkojnë dot. Ku fshatarët e kanë të ndaluar të presin dru”.

Basha u kërkoi dibranëve të mos tundohen nga paratë, që sipas tij, orfohen për votat e tyre, pasi në këtë mënyrë do të shesin të ardhmen.

“Dibra është bërë në mënyrë të pamerituar arena ku po bëhet prova për rrëmbimin me lekë dhe krim të zgjedhjeve të vitit 2017. Edi Rama i ka dhënë liri krimit të bëjë çdo gjë, të vjedhë, të vrasë, ta kthejë Shqipërinë në Kolumbinë e Evropës. Si shpërblim, ai u ka kërkuar kriminelëve ta ndihmojnë që të qëndrojë pushtet duke vjedhur zgjedhjet. Ne do t’i themi ndal këtu në Dibër. I bëj thirrje çdokujt që nuk është mendjendarë; mos u gënjeni nga propaganda. Ata që sot duan t’ju blejnë votën apo t’ua marrin me dhunë, do t’ju marrin me dhunë gjithçka që keni. Ata do t’ju nëpërkëmbim. Ata që sot nuk duan t’ju lënë të zgjidhni me vullnetin e lirë, nuk do t’ju lënë asgjë”. 

Në fjalën e tij, Basha u ndal tek Rruga e Arbrit, ku akuzoi Kryeministrin se kërkoi të përdorte paratë e qeverisë kineze për vete, ndërsa sipas tij, projektin e ka varrosur tashmë.

“Ai ka ardhur këtu dhe është ulur këmbëkryq, duke shtuar varfërinë, duke rritur çmimin e energjisë elektrike, duke iu rritur faturat, taksat, duke iu rritur barrën e rëndë që çdo familjar deri në momentin kur nuk e sheh në sy fëmijën e vet. Mbylli universitetin. Mbylli projektin e rrugës së Arbrit, e varrosi atë, duke lënë mbi 100 mijë dibranë në izolim dhe në harresë. E ndaloi projektin sepse nuk i interesonte Dibra. Donte vetëm të merrte milionat e qeverisë kineze, ai dhe vetëm ai. Bëri plane në hotelet luksoze të Stambollit me avionët privatë të Arben Ahmetajt për Skavicën, pa pyetur askënd. Sepse do të përmbysë dhe të zhvendosë gjysmë e dibranëve nga pronat e tyre dhe t’i çojë refugjatë. Cili dibran nuk e di se ai i jep Bashkisë së Dibrës edhe kur kryetarin e kishte të zgjedhur vet 4 herë më pak para në vit se sa ç’i jep Sadri Abazit, pesë herë më pak në vit se sa shpenzon për avionët privat”. 

Në tubimin përmbyllës të fushatës së Partisë Demokratike për këtë bashki merrnin pjesë edhe krerët e partive aleate të së djathtës, të cilët kërkuan votën për Sherefedin Shehun.

Tv Klan