“Ka konsumuar 6 vepra penale me tenderin për ushqimet”
Në padinë për ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, Partia Demokratike rendit 6 vepra penale ku përfshihen “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror”.
Ndër personat e kallëzuar përveç ministres Xhaçka janë edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në këtë Ministri, shoqëria “EUROVIA” me administrator Emir Shefiti dhe shoqëria XPERT SYSTEMS me administrator Renald Gova.
Në kallëzim evidentohet se “EUROVIA”, nuk përmbush kriterin ligjor të eksperiencës së ngjashme në fushën e furnizimit me produkte ushqimore në 3 vitet e fundit.
Në një reagim të saj, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e quajti të ulët dhe imorale “në qoftë se opozita e një vendi në kohë lufte, jo vetëm s’kontribuon në përpjekjen e përbashkët për të mundur armikun e për të shpëtuar jetë, por vazhdon me shpikje të modelit ‘Babale’ në një përpjekje për të sabotuar luftën kundër pandemisë së COVID-19”.
Më herët për këtë çështje reagoi edhe kompania me qendër në Maqedoninë e Veriut, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës. Kompania thotë se është prej vitesh në tregëtinë e mallrave ushqimore dhe ofroi një produkt cilësor në një kohë rekord.
Tv Klan