Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin rrëzoi propozimin e opozitës për ndryshimin e rregullores që deputetët të vetëdeklarojnë nëse kanë qenë apo jo përdorues të aplikacionit “Sky ECC”.

“Gjërat që kërkojmë nga të tjerët t’i nisim nga vetja. Nëse u kërkojmë punonjësve të policisë të jenë të pastër, të mos kenë lidhje me krimin dhe të mos kenë përdorur ‘Sky ECC’ ta nisim i nderuar koleg nga vetja, se punonjësi i policisë merr 600 mijë lekë rrogë (të vjetra)”, tha Gazment Bardhi.

Sipas socialistëve ky propozim duhet të jetë pjesë e diskutimit të një grupi pune, për të parë nëse duhet të ndryshohet rregullorja e parlamentit apo të jetë pjesë Kodit të Etikës.

“Duhet ta shqyrtojë një grup profesional. Mund të propozojmë që ta vëmë tek formulari i deklarimit përpara se të kandidojmë për deputet. Mund ta shtrijmë tek kryetarët e bashkive, mund ta shtrijmë tek i gjithë sistemi i drejtësisë”,u shpreh Bledi Çuçi.

Në Mbledhjen e Këshillit të Mandateve palët u dakordësuan që raportet e PD e PS-së për mandatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj të votohen në seancën e parë plenare për këtë sesion.

Tv Klan