“Tirana, lavatriçe e pastrimit të parave. SPAK të hetojë”
Partia Demokratike thotë se disa përgjime të antimafias italiane ndaj organizatës mafioze Ndrangheta, konfirmojnë se në Tiranë pastrohen para për mafian italiane me lejet e ndërtimit, koncesionet dhe me tenderat publikë. Ish-deputetja Grida Duma foli me emra duke akuzuar Kryeminsitrin Rama dhe Kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj për lidhje të drejtpërdrejta me një nga anëtarët Ndranghetës.
“Në përgjimet e njeriut kyç të Ndraghetës, biznesmenit Gallo, i cili bën lidhjen mes biznesit, mafias dhe politikës, konfirmohet se pjesa që merr Erion Veliaj nga lejet e ndërtimit apo pushteti i Edi Ramës nga koncesionet dhe tenderat është 20%. Në këto përgjime dalin takimet e kryera të biznesmenëve ndërmjetës shqiptarë, mes Erion Veliajt dhe biznesmenit të Ndraghetës Gallo”.
Demokratët sulmuan SPAK se po hesht për këtë çështje dhe nuk po kryen hetime.
“Megjithëse provat i kanë të gatshme nga kolegët italianë, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion nuk ka bërë asnjë veprim për të nisur hetimet për Erion Veliajn dhe implikimet e tij me biznesin e mafias italiane. Arben Kraja, të lërë intervistat në media e të kryejë detyrën. Të zbatohet së paku standardi i vendosur për Tahirin”.
Sipas Partisë Demokratike, SPAK është larg asaj që presin shqiptarët për të goditur korrupsionin e politikanëve dhe për të dërguar peshqit e mëdhenj para drejtësisë.
Tv Klan