Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Rama se ka favorizuar deputetin socialist, Sadri Abazi, në dhënien e një tenderi për rikonstruksionin e bulevardit të Dibrës. Opozita thotë se procedura është në shkelje ligjore, pasi nga gara janë skualifikuar dy kompani që dhanë një ofertë prej 200 milionë lekë, më pak se ajo e deputetit socialist.

 

“Nuk ndalen favoret e Ramës për oligarkun e tij Sadri, në shkelje të ligjit. Paniku prej votës së 11 Shtatorit, e ka bërë Edi Ramën të hapë qesen e të dorovisë paratë e shqiptarëve sipas interesit klientelist. Oligarku i Ramës ka marrë një tender pak ditë më parë, 870 milionë lekë, për rikonstruksionin e bulevardit Elez Isufi në Dibër, ku ishte paracaktuar si fitues ai dhe nipi i tij, me firmën ALKI Impex.  Të gjashtë operatorët e tjerë në garë u skualifikuan, ndonëse dy prej tyre kishin bërë ofertë me 200 milionë lekë më pak se firma e Sadriut.”

Sipas PD, këto para do të përdoren për zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës. Por paligjshmëria thonë demokratët, ka vijuar edhe në zyrat e Komisionit të Prokurimit Publik, që sipas opozitës, nuk ka pranuar ankesat e bëra nga dy kompanitë në garë për tenderin.

Tv Klan