“Heshtja tregon se vjedhin bashkë”
Partia Demokratike akuzoi sot Kryeministrin Edi Rama se nuk e ka shkarkuar ende ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj edhe pse sipas saj u kap me fakte duke abuzuar me paratë e shqiptarëve.
Sipas demokratëve, shkaku i heshtjes se Ramës është se ai dhe ministrat vjedhin së bashku.
“Ministrja duhet të ishte shkarkuar sot, edhe sepse ajo gënjeu publikisht, duke deklaruar se faturat e shtrenjta ishin për delegacionin. Faturat që Ministrja ka paguar janë të shkruara e bardha mbi të zezë. Janë të gjitha për vetëm 1 person, për vetëm 1 dhomë, me emrin e Etilda Gjonajt.
Në këtë shpërdorim dhe jetë luksi me paratë e shqiptarëve, Etilda Gjonaj nuk ështe e vetme. Modeli i saj është kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili, njësoj si ajo gënjeu, po dje, për pushimet jashtë vendit dhe jetën e tij luksoze në një vilë të paktën 2 milionë euro, që nuk justifikohet nga pasuria e deklaruar prej tij.
Edi Rama hesht, sepse ky abuzim me paratë e shqiptarëve, është standardi i qeverisjes së tij. Ai vetë është grabitësi kryesor i parave dhe pasurive publike, bashkë me ministrat e tij, një grusht oligarkësh dhe kriminelësh”, tha ish-deputetja Pampuri. /tvklan.al