Lajme Arkiva 2003

Partia Demokratike rinis përsëri protestat e saj në funksion të votës së lirë. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se protestat do të zgjerohen në të gjithë territorin e Shqipërisë duke vazhduar me Durrësin dhe më pas me rrethet e tjera.

Sali Berisha: Protesta! Protesta për votën! Protesta për lirinë e votës! Protesta për Kushtetutën do të përfshijë çdo fshat, çdo qytet, çdo rrugë e çdo shesh të Shqipërisë.

Në fjalën që Berisha mbajti përpara qytetarëve të Tiranës përmendi përsëri si përgjegjësin kryesor presidentin e republikës Alfred Moisiu, për një proces zgjedhor të shkatërruar. Një grup grash u nisën për te presidenti i republikës Moisiu për të dërguar një letër në të cilën pyetej se çfarë është bërë me hetimin e listave të zgjedhësve.

Protestuesit kanë vazhduar rrugën drejt kryeministrisë duke bërë thirrje për rrëzimin e qeverisë. Aty protestuesit janë njohur me rezultatin e kolegjit zgjedhor , i cili kreu zgjedhje në 110 qendra votimi.

Ky lajm ka entuziazmuar protestuesit për tu kthyer përsëri përpara Bashkisë së Tiranës dh epër të këmbëngulur edhe më tepër në ditët e ardhshme për vitin e ri.

Gazetarja: Do vini çdo ditë në protesta?

Protestuesja: Po çdo ditë dhe nuk do i ndahemi këtij sheshi, do jemi të përhershëm dhe të përditshëm deri sa të fitojmë të drejtat tona.

Gazetarja: Je në punë ndërkohë?

Protestuesja: Po jam, po e kam braktisur punën këto ditë.

Gazetarja: Keni marrë leje, apo e keni braktisur për protestat?

Protestuesja: Për protestat e kam braktisur.

Gazetarja: Si do ja bësh për drekën sot?

Protestuesja: Do agjërojmë sot se s’u bë gjë, jemi mësuar ne shqiptarët, pa ngrënë e pa pirë, jemi mësuar me pak.

Protestuesi: Kemi dalë këtu për votën e lirë që u mohua nga këta pushtetar të korruptuar dhe kësaj proteste ne do i rrimë deri në fund, deri sa vota e lirë të na kthehet.

Gazetarja: Ku do hani drek sot?

Protestuesi: I kemi marrë parasysh të gjitha, më mirë pa bukë se me këta në krye./tvklan.al