Pak shpresa për konsensus për kreun e ri të shtetit
Partia e Demokratike e Kosovës ende nuk ka marrë ftesë nga partitë e mazhorancës për ndonjë takim për të diskutuar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri. Kryetari në detyrë i kësaj partie Enver Hoxhaj në një intervistë për TV Klan thotë se PDK është e prerë se nuk do t’i jap votat për ndonjë kandidat tjetër pos kandidatit të tyre.
“Nëse kërkohen votat e PDK-së, kandidati duhet të jetë i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, duhet të kalojë nëpër tavolinën e kryesisë së PDK-së. Por nëse partitë tjera parlamentare në Kuvend mund të merren vesh dhe ta zgjedhin presidentin pa votat tona ne jemi në rregull”.
Thotë se ky është edhe interes shtetëror.
“Sa i përket interesit shtetëror partitë në koalicion do të duhej ta shtrojnë temën politikisht dhe moralisht në një mënyrë të tillë që të thonë se presidentit Thaçi i është ndërprerë mandati dhunshëm, po kërkojmë votat e PDK-së dhe është koha që ta nderojmë PDK-në me një kandidat të saj”.
Emri i Hajredin Kuçit, ambasadores Vlora Çitaku dhe emri i tij janë përfolur si kandidat të mundshëm për postin e presidentit.
“Unë e kam një detyrë të re e cila është e vështirë dhe e rëndë që ma ka bartur kryetari i partisë dhe ma ka besuar kryesia, në asnjë situatë nuk kam menduar që do të jem kandidat, por nuk është folur edhe për emra të tjerë deri më tash pasi nuk ka pasur situatë konkrete që të flasim”.
Nuk e sheh me interes të qytetarëve të Kosovës që të organizohen zgjedhje të reja në këtë kohë pandemie.
“Nëse kapaciteti i politikës në këtë vend është vetëm për të organizuar zgjedhje të lira dhe qeveri që qëndrojnë nga 50 ditë ose 3 muaj mendoj se kjo nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës sidomos në një kohë pandemie”.
Së fundmi PDK pas futjes së disa propozimeve konkrete të saj ka kërkuar që të votohet ligji për rimëkëmbje ekonomike i cili ka dështuar disa herë të miratohet.
Tv Klan