Parlamenti Evropian i kërkon Brukselit përshpejtimin e heqjes së vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën.
Në një letër dërguar Komisioneres për Çështjet e Brendshme të Komisionit Evropian, Cecilia Malmström, Komisionerit për Zgjerimin, Z. Stefan Fule dhe disa zyrtarëve të tjerë, Kryetari i Komitetit për Lirinë, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Evropian, z. Huan Fernando Lopez Aguilar, i kërkon Komisionit Evropian të nxitojë në plotësimin e procedurave të nevojshme, në mënyrë që Parlamenti të japë propozimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën në fillim të Prillit.
Një gjë e tillë, thotë Aguilar, do t’i mundësonte Parlamentit dhe Këshillit të përfundonin procedurën ligjore të nevojshme për nisjen e këtij regjimi para verës.
Në këtë letër, Aguilar i kujton zyrtarëve deklaratën e Nëntorit, ku vendeve të Ballkanit Perëndimor u premtua se propozimi do të trajtohej si një çështje urgjente.
Letra e përfaqësuesit të Parlamentit Evropian vjen në një moment kyç dhe hedh poshtë spekulimet e ditëve të fundit, ku u tha se liberalizimi i vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën rrezikohet nga fenomeni në rritje i azilkërkuesve nga Serbia dhe Maqedonia në Gjermani e Belgjikë.
Rëndësia e përshpejtimit të procesit të liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën u theksua pak ditë më parë edhe nga eurodeputetja Tanja Fajon, e cila i bëri thirrje Brukselit të mos lejojë në asnjë mënyrë që një fenomen i tillë të dëmtojë liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, që janë në prag të përfitimit të këtij regjimi.
Një tjetër thirrje për të mundësuar lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe boshnjakëve iu drejtua Komisionit Evropian edhe nga ministrat e brendshëm të 7 vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë Konferencës për Sigurinë e kufijve, të mbajtur në Tiranë./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle