Shqipëria është një hap më pranë liberalizimit të plotë të vizave. Parlamenti Evropian ka miratuar me shumicë votash raportin e eurodeputetes, Tanja Fajon që parashikon futjen e Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës në të njëjtën listë me tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbinë Malin e Zi dhe Maqedoninë për heqjen e vizave me BE-ne. 

Në bazë të rezolutës të miratuar sot kërkohet që vizat me Shqipërinë dhe Bosnjën të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur, menjëherë pasi përmbushjes së kushteve të udhërrëfyesit.

Çka do të thotë se Komisioni Evropian do t’i propozojë Këshillit të Europës heqjen e vizave me Shqipërinë sapo të vlerësojë se është përmbushur edhe pjesa e mbetur e kërkesave të udhërrëfyesit.

Eurodeputetja sllovene tha se Shqipëria është në rrugë të mbarë për përmbushjen e standardeve teknike dhe se për heqjen e vizave për shqiptarët nuk do të ketë asnjë vonesë.

Tanja Fajon: “Vendimi për futjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në këtë rekomandim është historik. Ramë dakord me Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian, për një deklaratë të veçantë ku konfirmojmë përkushtimin tonë që të sigurohemi se nuk do të ketë asnjë vonesë në futjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në këtë regjim të liberalizimit të vizave. Dëshiroj që qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës të udhëtojnë pa viza duke nisur nga korriku i vitit të ardhshëm. Ky është objektivi ynë, por varet edhe nga politikanët e këtyre vendeve për të përmbushur kushtet. Gjatë këtij viti, KE do të dërgojë një mision ekspertesh në këto vende, për të vlerësuar punën e kryer. Shqipëria është në rrugë të mbarë në përmbushjen e standardeve teknike. Dhe besoj se deri në pranverën e vitit të ardhshëm do të përmbushë kushtet e duhura teknike. Përmbushja e kushteve do të pasohet me një përshpejtim të  procesit.”

Eurodeputetja sqaroi gjithashtu se vizat me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi do të hiqen para krishtlindjeve.

Në këtë kontekst ajo sqaroi se nuk është e drejtë që Shqipëria e Bosnja të mbeten jashtë këtij regjimi.

Në këtë argument ajo ka edhe mbështetjen e shumicës së deputetëve evropiane.

Ndërsa Parlamenti Evropian, në një deklaratë për shtyp thekson se vendi ynë ka bërë  përparim të mëtejshëm  në pak muaj që nga koha e raport-progresit të fundit.  Brukseli nxit Shqipërinë dhe Bosnjën që të arrijnë tre vendet e tjera të Ballkanit në përmbushjen e reformave brenda muajve të parë të vitit 2010, kohë kur Komisioni Evropian do të raportojë mbi përparimin e tyre.

Parlamenti Evropian ka kërkuar gjithashtu edhe nisjen e dialogut të vizave me Kosovën, një proces i ngjashëm me ato të vendosura për vendet e Ballkanit Perëndimor./tvklan.al